
Një konflikt për çështjet e biznesit duket se u bë shkak për eliminimin fizik të biznesmenit Edmond Hyka i njohur dhe si Mondi Mëhalla, 43 vjeçar. Nga pamjet shihet se si një person i maskuar i është afruar mjetit të tij dhe e ka qëlluar disa herë në distancë të afërt duke i marrë jetën. Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortak në biznes me viktimën, u arrestua, në akuzë për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Në pranga ra edhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, roja i karburantit “Xhaxhi Oil” ku ndodhi ngjarja. Në kërkim janë shpallur 2 të tjerë, mes të cilëve ekzekutori i dyshuar Marselo Arani dhe ndihmësi që e largoi me makinën e zezë tip “Audi”, që e dogjën 15 kilometra më tutje në fshatin Mirakë, Armando Kola, 35-vjeç.
Makina e krimit është në pronësi të ish-ortakut Xhino Ago, të cilën ia ka dhënë hua për ta përdorur i shpalluri në kërkim Marselo Arani. 32-vjeçari Arani gjatë kohës së krimit ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një tjetër vepër penale. Ai rezulton i dënuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali, ndërkohë që në qershor të këtij viti, Prokuroria e Elbasanit i sekuestroi 14 pasuri, 12 makina, 1 motor, 1 apartament dhe një biznes të dhënies me qira të makinave.
