19 Prona të shoqërive piramidale janë nxjerrë tashmë në shitje përfundimtare nga Ministria e Financave.
Nga apartamente, toka në bregdet deri tek punishte sallami janë pronat e firmave piramidale “Vefa”, “Kamberi” dhe “Beno” që ministria e financave i ka nxjerrë tashmë në shitje. Pronat janë të vendosura në qytetet e Tiranës, Vlorës, Patosit, Elbasanit, Fierit, Përmetit, Paskuqanit, Beratit, Lushnjes. Në tabelën shoqëruese të hartuar nga nga ministria e financave specifikohen numri i objekteve për një pronë , vlera fillestare e ankandit, sipërfaqja. Ankandet do të zhvillohen në datën 8 Janar 2018.

Ministria e Financave deklaron se çdo person fizik apo juridik i interesuar për blerje në këtë ankand duhet të paraqesë në vendin, datën dhe orën e njoftuar pranë komisionit të ankandit dokumentacionin si më poshtë: 1. Kërkesë me shkrim për blerjen e objektit apo ndermarjes e regjistruar pranë protokollit tëMinistrisë së Financave. 2. Mandat pagesën në origjinal që vërteton derdhjen apo ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit në lekë. 3. Dokument identifikimi (pasaportë biometrike ose letërnjoftim). Shenim: Pjesëmarrësi në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë për vlerën e objektit te shpallur për shitje, nuk i kthehet 20 % e vlerës fillestare, të ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand. Mandat pagesa duhet të bëhet detyrimisht brenda afatit të pranimit të kërkesave për pjesëmarje në ankand.

Skemat piramidale në Shqipëri filluan aktivitetin e tyre në vitin 1991, duke sjellë si pasojë Viti tragjik 1997 me falimentimin e rreth 25 firmave të cilat grumbulluan rreth 1.2 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve.
Firma e parë ishte ajo e Hajdin Sejdisë, që u arratis në Zvicër me disa miliona dollarë. Firma “Sude” u krijua në vitin 1993 nga Maksude Kadëna dhe ekzistoi në gjysmë-ilegalitet deri në vitin 1996. “Suden” e ndoqën rreth 24 firma të tjera, ku më të fuqishmet ishin VEFA, “Gjallica”, “Demokracia Popullore” -Xhaferri, “Populli”, “Cenaj”, “Silva”, “Kamberi”, “Univers”, “Global Foods”, “Beno” etj.
Firma “VEFA”
Firma piramidale “VEFA Holding” ishte firma kryesore piramidale. Ajo u krijua në 29 mars të vitit 1994 nga Vehbi Alimuça dhe u shtri në gjithë vendin. VEFA investoi në fusha të ndryshme të ekonomisë, si hotele, karburante, dyqane dhe fabrika. I njohur është atentati me bombë disa javë para zgjedhjeve të 26 majit 1996, tek supermarketi i “VEFA” në qendër të Tiranës. Firma piramidale “VEFA” ishte “skeduar” si firma rentiere e PD. Ajo falimentoi në vitin 1998, ndërsa presidenti i saj, përfundoi në burg.
/sosnews.al
