Ristrukturimit i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit ishte fokusi i takimit të krerëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Për ti dhënë rëndësinë e duhur morën pjesë dhe dy ministrat ai i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.
Elbasani u zgjodh jo rastësisht për implementimin e një projekti pilot për riorganizimin tërësor të drejtorisë vendore policore.Situata e ngarkuar kriminale përgjatë dy viteve të fundit detyroi Ministrinë e Brendshëm që të kërkonte ndryshimin strukturor dhe për ta ribërë policinë e Elbasanit.
Fatmir Xhafa në prononcimin për mediat foli përciptazi pa shpjeguar konkretisht se cila do ishte skema e ndryshimit e cila sipas premtimit të tij pritet të garantojë një kontroll më të mirë të territorit, më shumë qetësi dhe rend për qytetarët si dhe goditje pa përzgjedhje të grupeve dominante kriminale të cilat gjatë dy viteve të fundit janë përplasur jo pak herë në në mes të qytetit duke e kthyer Elbasanin në një “Far west” të Shqipërisë së mesme.

Për të kuptuar se si do të ndryshojë funksionaliteti strukturor i Drejtorisë Vendore të Policisë, sosnews foli me drejtues të policisë së shtetit të cilët na treguan përmbledhtas risitë dhe shkurtimet e vendosura pas një analize të thelluar të zhvilluar në bashkëpunim dhe me sektorin e studimeve strategjike.
E më konkretisht do të ndryshojë:
– Përgjysmim i numrit të sektorëve, aktualisht janë 8 sektorë, do të përmblidhen në 4 sektorë . Gjithashtu do të shtohet një sektor tjetër i veçantë.
– Sektori për krimet dhe sektori për rendin public do të shkrihen në një të vetëm të emëruar Sektori i Sigurisë Publike
-Sektori për krimin Ekonomik + Sektori për Krimet e Rënda + Sektori për trafiqet dhe drogën do të shkrihen në një të vetëm të emëruar Sektori për Hetimin e Krimit të Organizuar.
– Antidroga dhe trafiqet e paligjshme bashkohen sëbashku në nivel seksioni.
– Po ashtu dhe seksionet e mëparshme të fragmentuara të Krimit ekonomik do të mblidhen në një të vetëm, Të gjitha këto nën varësinë e Sektorit për Hetimin e Organizuar.

– Shtohet Sektori i shërbimeve Policore të Specializuara me 4 seksione nën varësi ai i agjentëve, përgjimeve, policisë shkencore dhe shqiponjat.
– Ndërsa Sektori i Policisë Rrugore qëndron si strukturë por rikonfigurohen seksionet nën varësinë e tij me heqjen e një seksioni dhe me decentralizimin e trafikut urban dhe interurban (modeli i Tiranës).
Zona Policore
– Me anë të kësaj strukture të re synohet që të forcohet roli i Patrullës së Përgjithshme dhe aplikimi i nocionit të Zonës Policore.
– Unifikim i zonës policore në një zonë gjeografike në të cilën caktohen në mënyrë permanente për të përmbushur detyrat të gjitha shërbimet, patrullë e përgjithshme, SPZ (specialist i policisë së Zonës), ndihëms specialisti për krimet dhe specialist për krimet.
– Riformatim i rolit të SPZ –ulje e kompetencave dhe fokusim në detyra.
– Krijimi i funksionit edukuese për oficerin e Policisë Kriminale
– Rritja e kapaciteteve analitike për komisariatin. E më konkrtisht Zv shefi i komisariatit do të ketë në dispozicion 2-4 specialistë për planifikim, analizim, monitorim dhe vlerësim.

Propozimet që u paraqitën për rishikimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
- Ulja me 50% e numrit të shefave të sektorit dhe krijimit të një strukture në nivel baze
- Rritje të rolit të Sallës së Komandimit dhe dhënia e kompetencave drejtuese operacionale
- Përqëndrim i strukturave të krimit të organizuar në një sektor
- Krijimi i sektorit të analizës pranë zv.drejtorit duke rritur rolin e këtij të fundit në planifikimin, monitorimin dhe vlerësimin e situatës.
- Përqëndrim të strukturave të sigurisë publike në një sektor.
- Rritja e rendimentin të ndihmës specialistëve për krimet duke i përqëndruar në një seksion të veçantë në Drejtorinë Vendore të Policisë.
- Përqëndrim i kapaciteteve profesionale dhe teknike të policisë rrugore në nivel Sektori në Drejtorinë Vendore Policore Elbasan.
Copyright: sosnews.al

