Përveç taksës prej 5 euro që konçesionari do të vjelë për kalimin e veturave apo tarifës prej 22 euro që shkon për autobuzët apo kamionët e tonazhit rëndë, sosnews.al zbulon një tjetër skandal që do të ndodhë në rrugën e kombit.
Policia e shtetit do të jetë në shërbim të konçesionarit.

Bëhet fjalë për një njësi të policisë rrugore e përbërë nga 40 efektivë që tashmë funksionojnë si PPP (partneritet- publik-privat).

Po të kalosh në rrugën e kombit të bien në sy disa automjete Mercedes-Benz të tipeve të fundit me logot e policisë të cilat patrullojnë aksin Milot-Morinë.

Këto automjetet janë vënë në dispozicion nga firma konçesionare dhe që po ashtu ka investuar për ndërtimin e një stacioni policor. Veç kësaj privati financon edhe pagat e rreth 40 efektivëve të policisë rrugore.
Deri këtu nuk ka asnjë problem por nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit nuk është dhënë asnjë sqarim se si 40 efektivë mund të kalojnë në varësi të privatit.
Po ashtu nuk dihet mbi çfarë baze ligjore është miratuar ngritja e kësaj njësie përgjegjëse për sigurinë rrugore në rrugën e kombit.

Sos.news.al ngre disa pyetje:
1-Çfarë garancie ka policia e shtetit se efektivët nuk do ndikohen apo urdhërohen nga konçesionari për tolerime në favor të interesave të tij ?
2-A ka bazë ligjore kjo inisiativë duke marrë parasysh se ky është rasti i parë i kësaj natyre ?
3-A ka një studim mbi veprimtarinë e kësaj njësie policore në këtë aks të rëndësishëm ku mesatarisht lëvizin 5 mijë mjete në ditë ?
4-A ka të drejtë kjo njësi e policisë rrugore të vendosë kushte ndaj konçesionarit nëse ky i fundit nuk përmbush detyrimet për standartet e sigurisë rrugore , në kushtet kur financohet po nga konçsionari ?
Në krye të kësaj njësie është emëruar Luan Shehaj një oficer i vjetër dhe karriere në policinë rrugore.

Por përveç taksës tepër të shtrenjtë të vendosur në kurriz të qytetarëve , konçesionari ka në dorë edhe ligjin.
Përveç parave të majme që do vjelin në vite “oligarkët” që kanë fituar tenderin do jenë edhe “ pronarë ” të policisë në rrugën e kombit, e cila mesa duket më shumë se sa shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës i përket interesave të ngushta që lidhin një grup njerzish në këtë vend.
Sosnews.al

