Pa u mbyllur mirë protesta e së shtunës, i pari kryeministri Edi Rama, pastaj ministri i brendshëm Fatmir xhafaj, dhe më pas sërish kryeministri i konsideruan protestuesit kuksian vandalë , të papërgjegjshëm e me lloji -lloji epitetesh linçuese sepse kishin djegur sportelet e koncensionarit privat ku do mblidhet taksa e kalimit në rrugën e “kombit”.
Nuk ka dyshime se disa veprime të turmës janë të paligjshme po ti shikosh në vetvete dhe të shkëputura por nga këndvështrimi psikologjik dhe i së drejtës për të jetuar dhe lëvizur të lirë ajo turmë nuk mund të konsiderohet kurrsesi kriminale. Mes të drejtës së koncensionarit dhe të drejtës së mijëra qytetarëve sigurisht kjo e fundit është prevaluesja.
Krimet e turmës shkaktohen gjithmonë nga ndonjë sugjestionim i fuqishëm dhe individët që kanë marrë pjesë në kryerjen e këtij veprimi të jashtëligjshëm janë të bindur se ata kanë kryer detyrën e tyre gjë që nuk mund të thuhet për një kriminel të zakonshëm.
Sugjestionimi i fuqishëm që i bëri ata qytetarë të reagojnë dhunshëm ishte e drejta themelore për jetën, e drejta për t`u dëgjuar nga të zgjedhurit e qeverisë qëndrore, e drejta për tu rebeluar nga izolimi që mund dhe do t`iu bëj ajo taksë atyre, si qytetarët e rrethit më të varfër të Shqipërisë.

Veprimet e tyre nuk duhen parë , analizuar dhe të gjykuara si veprime individuale për të cilat do duhet të ketë ndëshkim individual për xhamat e thyera dhe sportelet e djegura.
Veprimet e tyre përligjen nga të drejta më të mëdha se sa e drejta e një koncensionari për të ruajtur “pronën e tij private”, pronë e cila do ngrihet mbi gjakun , djersën dhe vuajtjen e mijëra banorëve të kukësit dhe të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë në të gjithë trevat që do duan ta përdorin këtë rrugë për arsye të ndryshme.
Qytetarët e Kukësit, u rebeluan jo ndaj policisë por ndaj kastës në pushtet që nuk denjoi, qoftë në një moment të vetëm ti dëgjonte dhe të dialogonte me ta për një propozim alternativ rreth tarifës.
Sigurisht që ata qytetarë nuk janë kundër shtetit dhe rregullave të tij, nuk janë kundër rrugës , pasi dhe ata e kuptojnë se ajo rrugë është jeta dhe mirëqënia e tyre, por kërkuan që të dëgjoheshin dhe të negociohej nga ana e qeverisë për çmimin e lartë të vendosur për atë rrugë, për ndërtimin e së cilës, ata si qindra mijëra qytetarë të tjerë e kanë paguar çdo vit nëpërmjet taksës së qarkullimit. Ata qytetarë protestuan dhe u rebeluan sepse kërkojnë një çmim më të ulët dhe të pranueshëm për buxhetin e tyre.
Si një njohës i mirë i psikologjisë së turmave, Kryeministri Edi Rama u hodh në sulm duke u bazuar tek postulati i Gustav le Bonit “Turma që është gjithmonë e gatshme të ngrejë krye kundër një pushteti të dobët , përulet skllavërisht para një pushteti të fortë”.
Me mësymjen e shpejtë të këtyre dy ditëve për ndëshkim të ashpër ligjor dhe arrestime masive për rebelët, qeveria këtë po synon, që turma (qytetarët e Kukësit) të përulën skllavërisht dhe të mos “bzajn” më për tarifën.
Këta qytetarë janë para një situate të vështirë, ose të jenë të vendosur për ta shpërthyer më tej indinjatën e tyre deri në një zgjidhje të arsyeshme për të dyja palët, pra të ulet tarifa e pagesës ose ta mbyllin me kaq rebelimin e tyre dhe të pranojnë çmimin e vendosur nga qeveria dhe të vuajnë gjithashtu dhe kalvarin e gjyqësor dhe shpenzimet e shumta nëpër gjykata për mbi 50 Kuksianë të arrestuar me akuzat e “shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë.
Qëndrim redaksional i “sosnews.al”
