Kompania e hidrokarbureve “Gulf ” sipas informacioneve zyrtare ka falimentuar dhe me një vendim të beftë ka mbyllur të gjitha pikat e shitjes me pakicë të karburantit në të gjithë Shqipërinë.
Përveç misterit se si arriti kjo kompani falimentin, një gjë tjetër është kthyer në shqetësim për dhjetra qytetarë. Ata kanë blerë me parapagim me një çmim më të favorshëm tollona për benzinë dhe naftë ose kanë parapaguar karta klienti me një limit të caktuar monetar.
Por për asnjërin prej tyre nuk ka përgjigje pasi nga drejtuesiit e kompanisë “Gulf” askush nuk iu përgjigjet ndërsa në pikat e shitjes me pakicë nuk ju jep njeri shpjegim pasi edhe punonjësit e këtyre pikave janë suprizuar dhe vetë nga largimi i menjëhershëm të drejtuesëve të kompanisë.
Pikat e furnizimit me karburant të “Gulf” në Tiranë dhe Durrës janë blerë nga kompania tjetër “Alpet” e cila siç shihet nga këto foto të siguruar nga sosnews.al përgjatë paradites dhe pasdites së të ejntes është marrë me heqjen e mbishkrimeve dhe tabelave orientuese të “Gulf” dhe vendosjen e tabelave me logon dhe emrin “Alpet”.

Persona që kanë punuar për “Gulf” deri ditën e djeshme bëjnë me dije se bëhet fjalë për rreth 100 000 tollona të parablerë nga qytetarët dhe për të cilat ata nuk kanë marrë karburant mbrapsht.
Muajt e fundit “Gulf Albania” u investua në fushata promocionale nëpër media dhe rrjete sociale për të joshur qytetarët që të blinin tollona ose të abonoheshin me karta klienti duke ju ofruar atyre çmime më të favorshme.

Mësohet se “Gulf” është pjesë e “Sun Petroleum Albania” regjistruar në QKR në shtator 2013 në pronësi të shtetasit izraelit Dory Grossman. Në shkurt 2014 shtetasi izraelit i ka shitur aksionet për 100 mijë lekë tek një kompani offshore, Universal Energy Group që është akoma e sot aksionerja e vetme. Kompania e shumicës është regjistruar si Sun Petroleum Albania Trading në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 01.10.2013. Edhe në këtë rast aksioner i saj i vetëm deri në 2015 ka qenë izraeliti, Dory Grossman i cili më pas ka kaluar aksionet tek Universal Energy Group për një vlerë 4 milionë lekë.

Ecuria e treguesve financiarë për vitin 2017 për Sun Petroleum Albania Trading nuk mund të jepet qartë për aq kohë sa nuk ka një bilanc të publikuar por referuar dy viteve paraardhës xhiroja e saj është tkurrur. Në vitin 2015 ajo regjistroi një xhiro 3.2 miliardë lekë kurse në 2016 zbriti në 2 miliardë lekë, një rënie 38 për qind e xhiros.
Pakica nga ana tjetër për vitin 2015 ka regjistruar një xhiro 4.8 miliardë lekë, kurse në 2016 3.2 miliardë me një rënie 34 për qind./sosnews.al

