Agron Neza, qytetari shqiptaro-amerikan që përmendet në dosjen hetimore të ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me 225 mijë dollarët e përmendura nga hetuesit. Në një prononcim për EuroNews, Neza thotë se paratë që i ka dhënë McGonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Edi Rama. Ai thotë se me kryeministrin Rama është njohur përmes ish-agjentit dhe se bashkë nuk kanë folur asnjëherë për çështje parash e biznesi. Neza thotë me bindje se Rama e ka mësuar nga shtypi këtë gjë, ndërsa akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha se ato para ishin të kryeministrit apo njerëzve pranë tij, Neza i konsideron një shpifje.
Reagimi i Nezës:
Po sqaroj si Sali Berishën që për interesat e tij politike dhe personale është gati të shpifë mbi gjithçka dhe të shkoj edhe më tej shpifjes nëse mundet, ai ka rekorde të errëta në lëmin e shpifjes. Po ashtu, po sqaroj dhe gazetarët, opinionistët, analistët dhe shqiptaret tanë të dashur kudo që janë dhe ky do të jetë reagimi im i fundit se; Me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama jam prezantuar diku në vjeshtën e vitit 2017 nëpërmjet mikut tim Charles Mcgonigal, ish-drejtor i Zyrës së Kundërspiunazhit të FBI-së për Nju Yorkun, në ndërtesën e Zyrës së kryeministrit, takim që zgjati ndoshta më pak se dy minuta. Pas këtij takimi jam takuar dhe disa herë të tjera dhe në këto takime ka pasur edhe njerëz të tjerë. Nuk mund të them që kryeministri i Shqipërisë është miku im, e as unë miku i tij përveçse një i njohur. Asnjëherë me KM Rama nuk kam biseduar çështje biznesi dhe as parash, e gjithashtu mund të them të njëjtën gjë dhe për stafin e tij me të cilët mund të njihem, siç njoh dhe kam miq dhe të PD, PR, PSD, PL e të tjera parti në Shqipëri. Për sa i përket problemit që Sali Berisha po flet, duke shpifur se paratë që i kam dhënë mikut tim Charles McGonigal janë para të kryeministrit Edi Rama apo njerëzve të tij, kjo kategorisht nuk është e vërtetë. Jam i bindur që kryeministri Rama, çështjen e dhënies së parave e ka mësuar nga shtypi në të njëjtën kohë që e ka mësuar dhe Sali Berisha dhe çdokush tjetër. Këtu përfundon çështja në lidhje me paratë që unë i kam dhënë Charles McGonigal.
Reagimi i Nezës vjen një ditë pas publikimit të dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI.

