Prokuroria e Posaçme kundwr krimit dhe korrupsionit (SPAK) ka kërkuar 2.8 vite burg për ish-shefin e krimeve në Elbasan Leonard Palushi. Pretenca u dha ditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Palushi, sipas pretencës përfiton zbritjen e dënimit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërkohë që SPAK kërkoi përfundimisht dënimin e tij me 2 vite e 8 muaj. Ish-shefi i krimeve akuzohet për korrupsion, ndërsa bie akuza e shpërdorimit të detyrës.
Ish-komisari Leonard Palushi është marrë i pandehur dhe akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’, parashikuar nga neni 259 Kodit Penal. SPAK ka mbyllur hetimet për Palushin dhe ka dalë në përfundimin se ai i ka shërbyer Erion Alibejt, në këmbim të mjetit që ka marrë si dhuratë. Si ‘shpërblim’, Palushi ka dhënë informacionin që të vendosej arma tek servisi i Manahasëve, me kërkesë të Alibejt, në mënyrë që të krijohej konflikt midis dy grupeve.

