Me akuza dhe dëshmi konkrete, vlonjati që për shumë ditë ishte ndër më të kërkuarit e Greqisë, ka dalë para Gjykatës së Athinës.
Ai ka folur sërish mbi gjendjen në të cilën ka vepruar natën e sulmit ndaj dy grave në një stacion autobusi në park, vendi ku në fakt grekët qëndrojnë për shumë kohë pushimi. Por, përveç këtyre rasteve, janë edhe dy dëshmi të tjera që janë depozituar në policinë e kryeqendrës greke, në dy rajone respektive në të cilat është deponuar për të njëjtin person.

Edhe pse ai mohon të jetë një abuzues serial grash, por ia lë fajin gjendjes që ka kaluar pas divorcit me bashkëshorten e tij dhe situatës në familje, tashmë ndaj tij është edhe akuza e nënës së tij, e cila ka bërë me dije publikisht që natën e sulmit ndaj grave në park, ai kishte dhunuar edhe nënën e tij. Nuk dihet ende nëse Prokuroria të ketë ngritur akuzë konkrete për këtë pretendim, por sipas të dhënave janë dëshmi të shumta kundër shqiptarit për të cilin thuhet se është një person i dhunshëm dhe shumë problematik.
SHQYRTIMI GJYQËSOR
Spartak Dyrmishi, 45- vjeçari shqiptar i akuzuar në Greqi për përdhunimin e një 34-vjeçarje greke dhe 2 tentativave për përdhunim është lënë në burg. Dyrmishi apo sikurse cilësohet si “përdhunuesi me tatuazhin e dragoit” në mediat greke ka kërkuar përsëri falje dhe sipas informacioneve, ai ka përsëritur atë që kishte deklaruar më herët para Policisë, duke pranuar akuzat e duke pretenduar se këto kanë qenë ngjarje të rastësishme dhe se ka qenë nën efektin e drogës dhe alkoolit.
45-vjeçari Spartak Dyrmishi akuzohet se ka përdhunuar nën kërcënimin e një thike një 34-vjeçare greke në Paleo Faliro. Në të njëjtën zonë, një tjetër vajzë 24 vjeçe u ankua se një person kishte tentuar të abuzonte seksualisht me të. Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe analizat e materialit gjenetik që abuzuesi kishte lënë në një makinë të viktimave të tij, u zbulua se ishte 45- vjeçari shqiptar. Pas arrestimit të tij, një 67- vjeçare greke ka shkuar në Drejtorinë e Policisë së Kifisisë dhe ka denoncuar se në gusht të vitit 2021 ishte sulmuar në Lutraki nga një burrë i panjohur.
Ajo thotë se pasi ka parë në media fotografinë e shqiptarit të arrestuar, ka arritur ta identifikojë si personin që 1 vit më parë kryente veprime të turpshme përballë saj. Spartak Dyrmishi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet greke dhe më 2 nëntor ai u arrestua nga Policia e Vlorës. I akuzuar si abuzues seksual, autori kaloi kufirin greko-shqiptar nga stacioni kufitar i Kakavijës në orët e para të 27 tetorit, përpara se të identifikohej nga autoritetet greke. Për tu arratisur nga vendngjarja, Dyrmishi u nis drejt Vlorës, në banesën e nënës, ndërsa vetë ishte i divorcuar. Ishte nëna, e cila së bashku me motrën e saj i ngritën kurth duke i dhënë çelësat e shtëpisë forcave blu. Policia shqiptare e ka dorëzuar atë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë në mënyrë që të dalë para drejtësisë greke.