A do të jetë e aftë Argjentina që të rrëzojë Francën nga froni? E vështirë, shumë e vështirë, duke menduar se “Gjelat” erdhën për të dytin edicion radhazi në finale, duke kontrolluar me lehtësi ndeshjet. Dhe ajo çfarë është më e frikshme është se sivjet iu desh që pak ditë dhe orë nga starti i Kupës së Botës të humbte liderë, “gjeneralë” dhe fenomenë si Karim Benzema, Pol Pogba, N’Golo Kante e Lukas Hernandez. Këto do të ishin të barabartë sikur Argjentinës t’i ishte dëmtuar Lautaro Martinez, Enco Fernandes, Leandro Paredes dhe Markos Akunja. Pa këta do të ishte Argjentina në këtë finale? Ku i dihet…

“ORIGJINALI” DESHAMP – Forca e Francës nis pikësëpari nga stoli. Didië Deshamp është një trajner “old school”, i cili ka një fizionomi të vetëm, nuk kopjon si treçereku i botës Pep Guardiolën… Përkundrazi, ashtu siç bën Ançeloti, është babaxhan me lojtarët, di të kultivojë dhe nuk ka frikë t’i japë një shans talenteve… Di të mbajë frymën e grupit të përqendruar tek i vetmi objektiv, fitorja. Kur të tjerët menduan se pa Pogbanë dhe Kantenë, mesfusha, pikë më e fortë e Francës do të merrte fund, ja tek Deshamp nxjerr nga “kapelja” dhe nuk ka frikë të rrezikojë me Çuomenin titullar, por kryevepra është të bindë Grizmanin që nga sulmues të bëjë mesfushorin shkatërrues. “Chapeau”!

MBAPE DHE ZHIRU – Nëse ka një dyshe në botë që funksionon më mirë se këta, jemi gati që ta sfidojmë. Kilië Mbape dhe Olivie Zhiru formojnë një repart sulmues si ato të kohëve të vjetra, ku “pyka” pret që sulmuesi i dytë të bëjë “punën” e tij, të pasojë në qendër dhe goli është i sigurt. Por në këtë rast, përveç bashkëpunimit me sy mbyllur mes tyre, Mbape është thjesht vdekjeprurës kur vendos që të ndezë motorët. Në shpejtësi është i pakapshëm, por edhe goditjet e tij, si dy golat ndaj Zvicrës, ishin thjesht silurë që Argjentinës në artilerinë e saj i mungojnë, me gjithë respektin.

STOF KAMPIONI – Dhe pika e fundit… Shumë e thjeshtë, Franca ka stof kampioni. Kjo skuadër, kampione bote në fuqi, është e “qepur” për t’u ulur sërish në çatinë e botës, prandaj në finale do të zbresin të qetë, duke qenë se presioni do të jetë i gjithi nga ana e Lionel Mesit, njeriut të vetëm të finales, i detyruar për të fituar…

PANORAMASPORT.AL

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version