Ora e finales po afron dhe më në fund e gjithë bota do të mësojë se cili do të ulet në fronin global, apo më saktë nëse Argjentina do t’i marrë vendin që mban Franca. Bardhekaltrit me një Lionel Mesi në superformë nuk zhgënjyen parashikimet dhe mbërritën në finale, janë realisht favoritë për të thyer kampionët në fuqi, kjo për tri arsye që kanë evoluar sidomos në dy vitet e fundit.
TË BASHKUAR – Tek Argjentina nuk thithej një atmosferë kaq e qetë, kaq e fortë! Në edicionet e kaluara, sa herë që Kupa e Botës afrohej nuk reshtnin së shpërthyeri lajme e prapaskena: “Mesi bën formacionin!” Apo “Mesi kërkon një skuadër që të luajë e gjitha për të”. Ndërsa në Katar, përkundrazi, duket një Mesi që po sakrifikohet për të gjithë, po bën liderin e heshtur. Dhe pas atij të 2014-ës të humbur kundër Gjermanisë, ka rastin e artë që ta mbyllë si mbret i botës karrierën e tij plot rekorde me Argjentinën. Pastaj, 5 gola në 6 ndeshje (do të ishin 6 gola nëse Shezni nuk do t’i priste goditjen nga 11 metrat ndaj Polonisë) janë treguesi se Lionel është i fokusuar vetëm te finalja e të dielës dhe është gati që të mos e gabojë as atë.
FITORET SJELLIN FITORE – Fryma e grupit konfirmohet edhe më shumë nga sukseset që kanë ardhur së fundmi. Mesi me Argjentinën nuk kishte fituar asgjë dhe kjo ishte pika e tij e dobët, sindromën që më në fund duket se e mposhti në Kupën e Amerikës 2021, organizuar në Brazil, por ky sukses u shoqërua edhe me “Finalen e Finaleve” (“Finalisima”), ku kampionët e Amerikës Latine mposhtën kampionët e Europës, Italinë, më 1 qershor 2022, në “Uembli”. Dhe ku i dihet, nuk ka dy pa tre…
SULM BOMBASTIK – Nuk shënon Mesi? Pa problem, Argjentina ka një artileri më shumë se të rëndë tek e cila mund të mbështetet më në fund. Hualian Alvarez është vetëm djaloshi i artë i ri i “Seleçiaos”, ku me dopietën ndaj Kroacisë dhe penalltinë e fituar tërhoqi skuadrën në finale. Ndërkohë, Mesit mund t’i bashkëngjitet edhe eksperienca në momente nevoje, si Lautaro Martinez për shembull, apo edhe Angel di Maria, i rikthyer nga dëmtimi, e për të vazhduar me Paulo Dibalën e Angel Korrean. Shkurt, Argjentina dhe Mesi i kanë të gjitha kartat në rregull për të ngritur trofeun në “Losail”.
PANORAMASPORT.AL

