Fatos Tushe, ish-kryetari i Bashkisë Lushnje është vënë sërish në pranga. Një ditë pas venditmit të Apelit të GJKKO-s për t’i shtuar dhe një vit tjetër burg dënimit të Tushes, oficerët janë paraqitur në shtëpinë e ish-kryebashkiakut dhe i kanë vënë pranga.
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtuar 1 vit burg në dënimin e kryetarit të Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Fatos Tushe është dënuar përfundimisht me 5 vite burg dhe duke përfituar nga procesi me gjykim të shkurtuar, ai do të vuajë 3 vite e 4 muaj burg në qeli.
Por si u arrestua Fatos Tushe? Më 6 korrik 2021, ai u prangos në një operacion të SPAK bashkë me disa nga vartësit e tij, pasi u akuzua për shpërdorim detyre. Tenderi që i dogji zyrtarët e bashkisë Lushnje, ishte për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj me vlerë 24 milionë lekë. Tenderi u fitua nga kompania EuroAlb shpk, që garoi me ofertën më të lartë, ndërsa punimet, fitimet dhe punën i bëri kompania e biznesmenit Ibrahim Lami. Në dosjen e SPAK, Lami përshkruhet si lidhje e ngushtë e Tushes dhe familjar i pronarit të EuroAlb shpk, Bujar Murati. Sipas SPAK, Lami dhe Murati i kanë ndarë paratë bashkë.

