Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, njoftoi të mërkurën më 11 janar 2023 lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë për shpalljen fajtore të ish-zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda dhe dy shtetase që bashkë me të u akuzuan për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.

Në njoftimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit thuhet se vendimi është marrë nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi dhe anëtarë gjyqtarët Saida Dollani e Dhimitër Lara.

Rovena Voda, Majlinda Hasani dhe Florida Beu u dënuan në shkallë të parë më 7 prill 2022, me nga 1 vit e tre muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me një të tretën. Përfundimisht Voda dhe dy të pandehurat e tjera do të vuajnë nga 10 muaj burg. Ndërkohë, Voda u dënua edhe me 5 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK e akuzoi Vodën  për mitmarrje dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm, pasi e kapi në përgjime të pranonte 1 mijë euro, një telefon celular dhe një arkë me peshk, në këmbim të një vendi pune për të pandehurën Florinda Beu.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version