Zbulohen detaje nga dëshmia e ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj një ditë më parë, (22 qershor 2023) në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas gazetares Keti Banushi, e cila raporton për “ReportTV”, para prokurores Enkeleda Millonai Ahmetaj ka sqaruar pozicionin e tij për çështjen e incineratorit të Fierit dhe të Elbasanit, dosje për të cilat po gjykohen ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretari i Përgjithshëm të kësaj ministrie, Alqi Bllako.
Ahmetaj ka mohuar lidhjen me Klodian Zoton për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses Erjola Hoxha, me të cilën bashkëjeton që nga viti 2022. Sipas Ahmetajt, Zoto nuk ka patur vilë në Hamallaj që t’ja falte dhe s’kishte pse ia falte pasi ai s’ka patuar asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.
Po ashtu, edhe para hetuesëve ish-zëvendëskryeministri ka mohuar edhe pretendimet se Klodian Zoto i ka paguar hotele të shtrenjta jashtë Shqipërisë. Ahmetaj ka sqaruar se në asnjë rast hotelet ku ka qëndruar nuk janë paguar nga askush; ndërkohë që sa i takon vilës në Palasë shtoi se nuk ka asnjë lidhje me të. Sipas tij, vila i përket një shtetasje zvicerane dhe se ajo duhet pyetur për arsyetime të mëtejshme.
Për herë të parë, ish-ministri socialist Arben Ahmetaj u paraqit dje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, si person nën hetim, në kuadër të hetimeve që SPAK po kryen ndaj Ahmetajt për 4 akuza, për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme. Por ende nuk i është komunikuar asnjë prej tyre.

