Një i dënuar me 20 vite burg për vrasje është arratisur dje nga burgu i Idrizovës në Maqedoninë e Veriut. Ai ka kërkuar ndihmë te rojet e burgut se ishte lënduar. Mediat vendase shkruajnë se i burgosuri ia ka shkaktuar vetë lëndimin vetes. I burgosuri është nisur për në spital bashkë me rojet, ndërsa ambulanca nuk ka shkuar. Këtu ka nisur edhe hetimi se pse të burgosurit nuk iu dha ndihma nga ambulanca brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Tetova Sot shkruan se pasi dolën nga burgu, gjatë shoqërimit, disa persona të armatosur kanë ndaluar furonin dhe kanë marrë të burgosurin. Në përplasje e sipër ka patur të shtëna dhe një polic është plagosur. 

Arratisja dyshohet se kishte javë që planifikohej prej të burgosurit, kjo edhe nga fakti se personat e armatosur e dinin saktësisht se kur do të dërgohej i burgosuri në spital, e njihnin mjetin dhe megjithëse nuk konfirmohet, ndoshta kishin të dhëna shtesë se sa ishte numri i policëve që do ta merrnin të burgosurin, trajtimi dhe rruga e lëvizjes.

Mediat kanë kërkuar informacion nga Administrata e Zbatimit të Sanksioneve se kush ishte komandanti në detyrë gjatë turnit kur ndodhi rrëmbimi, nëse është e vërtetë që i burgosuri i arratisur vuan dënimin për vrasje, si dhe sa efektivë policie e kanë transportuar të burgosurin.

Deri në publikimin e lajmit nga aty nuk pati asnjë përgjigje. Marjan Spasovski, drejtor i Administratës për zbatimin e sanksioneve, ka pranuar se në burgje mbretëron korrupsioni endemik. Arratisja mendohet se ishte e koordinuar edhe nga brenda burgut duke pasur parasysh informacionet që kishin personat e armatosur. Ky është vetëm një nga disa incidentet që kanë ndodhur muajt e fundit në burgjet e vendit fqinj.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version