Kërkesa për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj ka ndezur debatin në Kuvend. Deputeti Gazment Bardhi kërkoi që në seancë të ishte prezent kryeministri Edi Rama. Debati ka pasuar me nënkryetaren Ermonela Felaj.
Bardhi akuzoi Felajn se është pjesë e një fasade në drejtësi dhe se ka pushtuar prokurorinë e Tiranës. Ai akuzoi Felajn se bashkëshorti i saj, Bledar Valikaj gjatë detyrës si prokuror ka marrë një ryshfet prej 1.5 milionë euro nga 4 biznese.
Akuza ngjalli reagimin e deputetes socialiste që e quajti “palaço”. Deputetët e opozitës kërkuan që Felaj të dalë jashtë pasi ka shthurur fjalorin.
Deputeti socialist Toni Gogu i kërkoi Bardhit që të mos nxjerrë sekretin hetimor.
Nga ana tjetër ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se nuk duhet të marrin heshtjen e tyre për dobësi. Zëvendësuesi i ish-deputetit Rrahman Rraja në parlament, Arkend Balla u betua në mes të tensioneve.
Deputetët socialistë ditën e sotme kanë miratuar ligjin për Kanabisin në mënyrë të fshehtë, pasi asnjë nga deputetët e opozitës nuk mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të ligjeve.
Ndërkohë me 84 vota, 3 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi ka miratuar dekretin e Presidentit për shkarkimin e Bledi Cucit nga detyra e Ministrit të Brendshëm.
Në vend të tij është emëruar Taulant Balla.

