Ndonëse Arlind Gjokutaj nuk ka qenë i pranishëm në sallë për shkak të problemeve me zemrën, bëhet me dije se përmbaruesi privat, Fatmir Hoxha, ka folur jo vetëm duke kundërshtuar Prokurorinë për akuzat, por madje edhe duke shpjeguar të gjithë procedurën e ndjekur nga ministria përkatëse në rastin konkret.
Sipas të dhënave saktësohet se përmbaruesi ka debatuar dhe kundërshtuar për afro dy orë organin e akuzës me pretendimin se ekzekutimi ka ardhur pas një vendimi Gjykate të ndërmarrë në vitin 2021 dhe se sipas tij dhe dy avokatëve mbrojtës të zyrtarëve të lartë, nuk ka as shkelje dhe as fajësi.
Po nuk ka qenë i të njëjtit mendim gjyqtarja që ka shqyrtuar masat e sigurisë, e cila ka vendosur të lërë në masën e arrestit me burg të tre të prangosurit me akuzën e shpërdorimit të detyrës duke i shkaktuar shtetit dëmin prej 1.2 milionë eurosh.
SEANCA
Ndonëse prokurori i çështjes ka qenë i vendosur në kërkesën e tij për t’i lënë në burg të arrestuarit me urdhrin e tij, mësohet se dy të pandehurit e pranishëm në sallë bashkë me dy avokatët kanë bërë betejë ligjore kundër akuzave dhe pretendimeve të Prokurorisë.
Sipas të dhënave, dy avokatët e paraqitur në seancë, Sokol Hazizi dhe Genc Gjokutaj, të cilët mbrojtën Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, thanë se nuk ka asnjë provë ndaj Gjokutajt. Sipas tyre, është një vendim Gjykate që është ekzekutuar, pra marrëdhënie civilo juridike.
Avokatët e kanë paraqitur këtë vendim Gjykate para trupit gjykues, vendimi i cili mësohet se është dhënë nga Dritan Caka në Gjykatën Penale të Tiranës. Kjo nuk ka ndikuar që Gjykata të ndryshojë masën e sigurisë të “arrestit me burg” derisa të sqarohet situata.
Pavarësisht pretendimeve të avokatëve dhe të pandehurit, Fatmir Hoxhaj ka folur vetë në seancë duke pretenduar se është vendim i Gjykatës i vitit 2021 që është zbatuar nga ana e Ministrisë së Financave.
Pra, sipas tij, kanë zbatuar vendimin e Gjykatës dhe nuk kanë bërë asnjë shkelje. Të njëjtin pretendim patën edhe avokatët e Arlind Gjokutajt që thanë se nuk ka prova për fajësinë e tij dhe nuk ka kryer asnjë vepër penale.
Pas konfirmimit të masës së sigurisë nga Gjykata, dy avokatët e Gjokutajt, Genc Gjokutaj dhe Sokol Hazizi, kanë shmangur komunikimin me median, por bëhet me dije se ata do t’i drejtohen Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë për klientin e tyre.

