Dy avokatët e nënës lehonë Diana Bahçja, Anton Kosteri dhe Edit Gyrcari kanë kërkuar që ajo të lirohet nga qelia. Gjatë një deklarate për mediat, ata kanë theksuar se ekzekutimi i vendimit të gjykatës duhet që të shtyhet pasi fëmija disda ditësh i saj të bëhet të paktën 1 vjeç. Sipas avokatëve, mbajtja në qeli e një gruaje që sapo ka sjell në jetë një fëmijë është e dëmshme si për beben ashtu edhe për shëndetin e nënës. Kosteri po ashtu tha se kanë depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës një kërkesë urgjente në mënyrë që autoritetet të pezullojnë vendimin dhe të lirojnë gruan nga burgu. Ndërkohë që bëri me dije se nuk e dinë se si është gjendja shëndetësore e gruas ndërsa shtoi se për foshnjën 18 ditëshe po kujdesen të afërmit.

Deklarata e plotë:

Kërkuesja Diana Bahçja (Hoshi), rezulton se është dënuar me vendimin gjyqësor Nr. 1054, datë 18.06.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjobë në masën 250’000 (dyqind e pesëdhjetëmijë) lekë. Më pas, mbi kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin Nr. 113 A, datë 13.06.2022 ka vendosur: Zëvendësimin e dënimit me gjobë 250’000 (dyqind e pesëdhjetëmijë) lekë dhënë me vendimin Nr. 1054, datë 18.06.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me ditë burgim për të dënuarën Diana Bahçja (Hoshi) dhe sipas nenit 34/b të K.Penal, e denuara Diana Bahçja (Hoshi), duhet të vuajë 1 (një) muaj e 20 (njëzetë) ditë burgim. Rezulton se pasi ky vendim i konvertimit të dënimit me gjobë në dënim me burgim ka marrë formë të prerë, Prokuroria ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit për të, vendim i cili është ekzekutuar me datë 7 mars 2023, duke shkuar në banesën e kërkueses dhe duke e shoqëruar për në IEVP Ali Demi.

Nga provat që që kemi paraqitur në gjykatë provohet se 10 ditë para ekzekutimit të vendimit të konvertimit të dënimit, konkretisht me datë 25 shkurt 2023, kërkuesja Diana Bahçja (Hoshi) ka sjellë në jetë një fëmijë. Ky fakt vërtetohet nga çertifikata e lindjes së fëmijës së mitur me datë 27 shkurt 2023, e lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile Shkodër. Kërkuesja Diana Bahçja (Hoshi) nuk ka pasur dijeni dhe nuk është njoftuar as për vendimin penal të themelit (dënimit) Nr. 1054, datë 18.06.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me të cilin është dënuar me gjobë dhe aq më pak për vendimin penal të konvertimit të gjobës në burgim me Nr. 113 A, datë 13.06.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për këtë shkak, me të marrë dijeni për këto vendime penale të marra në mungesë dhe padijeni të saj, brenda afatit ligjor do të paraqesim kërkesë për rivendosje në afat për të paraqitur ankim ndaj tyre në Gjykatën e Apelit.

Nga ana tjetër, duke marrë parasysh rrethanat krejtësisht të paprecedenta në historinë e drejtësisë penale, ku një nënë lehonë burgoset vetëm 10 ditë pasi ka sjellë në jetë një fëmijë (për një vepër penale shumë të lehtë dhe që gjykimi i së cilës është zhvilluar në mungesë, pa dijeninë e saj), përmes kërkesës objekt që kemi dorëzuar në Gjykatë, ne kërkojmë që ndaj saj të merren disa masa pezulluese provizore për të ndaluar vijimin e ekzekutimit të tij, duke e shtyrë deri sa fëmija i mitur i sjellë në jetë të bëhet 1 vjeç. Në rastin në shqyrtim, bazuar në nenin 476/1 shkronja “b” e K.Pr. Penale, ne kërkojmë shtyrjen e ekzekutimit të vendimit Nr. 113 A, datë 13.06.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi kërkuesja ka një fëmijë të sapolindur (që akoma nuk ka mbushur moshën 1 vjeç) dhe i cili ka nevojën urgjente për praninë e nënës së tij për ta ushqyer dhe kujdesur për të.

Aktualisht, siç është bërë publike nga të gjitha mediat e vendit, për fëmijën e sapolindur po kujdeset babai i tij i cili e ka shumë të vështirë që të plotësojë nevojat bazike jetike të mbijetesës së tij dhe aq më pak që të jetë i aftë të ofrojë një përkujdesje të përshtatshme për të. Nga ana tjetër, nuk është e nevojshme të sqarojmë se burgosja e një gruaje lehonë (disaditëshe) dhe që duhet të ishte në regjim shtrati në shtëpi dhe të ushqente me gji të sapolindurin e saj, rrezikon që të shkaktojë dëme të pariparueshme shëndetësore deri edhe rrezikimin e jetës së vetë kërkueses. Prandaj, duke marrë në konsideratë ngarkesën në punë të gjykatave dhe emergjencën e situatës së kërkueses dhe sidomos të fëmijës së saj të sapolindur, ne kërkojmë që me regjistrimin dhe shortimin e kësaj kërkese me karakter të ngutshëm, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në nenin 476/2 të K.Pr. Penale të vendosë menjëherë pezullimin e ekzekutimin e këtij vendimi përpara se të marrë në shqyrtim në themel kërkesën tonë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për një afat një vjeçar.

Pezullimi i menjëhershëm i këtij vendimi nga gjykata, sapo kjo kërkesë të mbërrijë në tavolinën e gjyqtarit të shortuar, jo vetëm do të ulte rrezikun e sjelljes së ndonjë pasoje të rëndë për shëndetin dhe jetën e fëmijës së sapolindur apo të vetë kërkueses, por do të shërbente edhe si një mesazh i qartë publik se burgosja e saj në këtë situatë, ka qenë një gabim tejet i rëndë individual njerëzor, por jo një faj i rëndë sistemik që përshkruan mënyrën sesi funksionon sot sistemi i drejtësisë, gabim të cilin vetë sistemi i drejtësisë ka aftësinë dhe ndërgjegjen juridike që ta korrigjojë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Duke vlerësuar se rezulton e qartë se kërkesa e kërkueses Diana Bahçja (Hoshi) është e bazuar në ligj dhe në prova pasi plotëson të gjitha kriteret ligjore për pranimin e saj. Përfundimisht, i kërkojmë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë që të vendosë: Pezullimin e menjëhershëm të ekzekutimit të vendimit gjyqësor penal, deri në shqyrtimin e kërkesës për shtyrjen e afatit të ekzekutimit të vendimit penal. Shtyrje e afatit të ekzekutimit të vendimit penal Nr. 113 A, datë 13.06.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë gjer sa fëmija të bëhet një vjeç

Çfarë ka ndodhur?

 Diana Bahçja ishte dënuar nga gjykata me gjobë, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. Ky pretendim mohohet nga Diana që deklaron se ish-burri e dhunonte. Por çudia ka ndodhur me vendimin e gjykatës. 3 vite pasi Diana Bahçja mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur.


Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe ndodhet në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj. Diana Bahçja përfiton nga ligji dhe Kodi Penal, që parashikon shumë qartë se në rastin kur nëna është shtatzënë ose ka fëmijën nën 1 vjeç, atëherë ekzekutimi i vendimit për dënim edhe në rast se është i drejtë, do të duhet të shtyhet derisa bebi të mbushë 1 vjeç. Kjo në rastin e saj nuk ka ndodhur. Nëna është në burg ndërsa për fëmijën që ka nevojë urgjente dhe të pajustifikuar për nënë, është duke u kujdesur i shoqi, Naim Bahçja bashkë me mbesën e tij 11-vjeçare. 

E dënuara Diana Bahçja është nga Burreli ndërsa edhe ish-bashkëshorti i saj që e ka denoncuar për braktisjen e fëmijës së parë disa vite pas divorcit është nga Burreli, denoncim që e ka bërë pasi Diana është martuar për herë të dytë në Shkodër. 

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version