Grupi hetimor që u mor me zbulimin e rastit të vjedhjes së 1.2 milion eurove, për të cilën ranë në pranga tre zyrtarë të lartë, sinjalin e parë e ka marrë nga një bankë.
Në dosjen hetimore është kopsitur historiku i të gjitha veprimeve të kryera nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Financave, ndërkohë që historia e ‘magazinës nr 2’ mësohet se ka nisur plot 30 vite më parë.
HISTORIKU I VEPRIMEVE HETIMORE
“Në vitin 2015 nga ana e përmbaruesit gjyqësor, Suela Ndreca, i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë me nr.16, datë 14.07.2000. Në vitin 2015, nga ana e përmbaruesit gjyqësor Suela Ndreca i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të gjykatës së Apelit Tiranë me nr.16 datë 14.07.2000.
Ministria e Financave ka mbajtur korrespodencë me INSTAT lidhur me evidentimin e koeficienteve të rivlerësimit lidhur me indeksimin e vlerës së parasë (LEK) për periudhën 1992-2015 dhe INSTAT ka kthyer përgjigje duke u bërë dhe përllogaritja e plotë që ka çuar në pagesën dhe ekzekutimin vullnetar të detyrimit nga Ministria e Financave në llogarinë e personit nën hetim Ilir Thana. Nga aktet rezulton se nga ana e Ministrisë së Financave është arsyetuar drejt në vitin 2015 lidhur me dispozitivin e vendimit të Gjykatës dhe kuptimin e termit të indeksimit të parasë për të bërë pagesën për personin nën hetim Ilir Thana. Kjo rezulton nga MEMO nr.904 datë 02.02.2015 dhe MEMO nr.904/2, datë 2801.2015.
SEKUESTROJA PREVENTIVE
Më datë 21.06.2022, në Ministrinë e Financave përpilohet MEMO me nr.11813 lidhur me depozitimin e urdhrit për vendosjen e sekuestros konservative mbi detyrimet që personat e tretë kanë ndaj debitorit të përmbaruesit privat, Besnik Bajraktari. Kjo MEMO rezulton se i është drejtuar shtetases Roza Naumi me detyrë drejtoreshë e Financës dhe Buxhetit, Drejtorit të Miradministrimit të Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve, Shqipe Nushi, e sektorit të ankesave administrative dhe Gjyqësore dhe konceptuar nga Ornela Braçe si specialiste.
Sipas akteve bashkëlidhur kësaj MEMO, rezulton dhe provohet tërësisht se personi nën hetim Ilir Thana në vitin 2005, edhe pse në kundërshtim me ligjin dhe pa qenë pronar, i ka shitur objektin magazinë shtetasit Koço Xhani. …Sipas akteve bashkëlidhur kësaj MEMO, rezulton dhe provohet tërësisht se personi nën hetim, Ilir Thana, në vitin 2005 edhe pse në kundërshtim me ligjin dhe pa qenë pronar ka shitur objektin magazinë shtetasit Koço Xhani. Në këto rrethana Ministria e Financave ka pasur dijeni minimalisht se objekti ishte shitur nga Ilir Thana dhe se nuk duhet të pranonin dhe të ekzekutonin një kërkesë të përmbaruesit gjyqësor që kishte vlerësuar një objekt dhe një truall në vlerën e rreth 82.000.000 lekë.
EKZEKUTIMI I VENDIMIT
Në MEMON nr.16935, datë 14.09.2022, të konceptuar nga Alma Veterniku, drejtuar Arlind Gjokutës, me detyrë sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, miratuar nga Roza Naumi, drejtore e drejtorisë së buxhetit dhe menaxhimit financiar dhe konceptuar nga Alma Veterniku, përgjegjëse e sektorit të kontabilitetit dhe financës. Sipas kësaj MEMO, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave është vënë në dijeni se pagesa e detyrimit është kryer e plotë.
Pavarësisht kësaj MEMO është vijuar me ekzekutimin për një vendim të ekzekutuar tashmë dhe në kundërshtim me ligjin duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. Organi procedues në kushtet kur ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare të shtetases Shpresa Prifti (motra e Ilir Thanës) dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit të kontraktuar nga Ilir Thana si dhe kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore të hapura, të cilat dyshohet se kanë informuar personin nën hetim, si dhe nisur nga fakti se personi nën hetim ka tërhequr për një kohë të shkurtër rreth 23.000.000 lekë të vjedhura nga buxheti i shtetit, çmon se ka rrezik të ikjes së këtij personi. Nisur dhe nga fakti se Ministria e Financave ka vijuar dhe pranuar për ekzekutim kërkesën e përmbaruesit”.
Burimi: Drejtësia s’mund të heshtë. Rama luan me popullin!
Rastet e njëpasnjëshme të aferave ku dalin të përfshirë zyrtarë të lartë ka bërë që të reagohet masivisht nga ana e opinionit publik. Është analisti Genc Burimi në një intervistë për “News24”, i cili foli për çështjen korruptive ku u arrestuan sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, së bashku me drejtorin e personelit në këtë institucion, Fatmir Hoxhaj, dhe Alban Ruli, përmbarues. Skema e abuzimit i shkaktoi 1.2 milionë euro dëm në buxhetin e shtetit.
“Në Shqipëri drejtësia nuk funksionon. Dalja e të gjitha skandaleve të fundit ka treguar edhe mosfunksionimin e drejtësisë. Duhet të kuptoni edhe versionin e qeverisë Rama apo të ndërkombëtarëve se dalja e aferave tregojnë se drejtësia funksionon. Unë them që drejtësia nuk kishte vullnet për të hetuar. Asnjë aferë nuk është gjykuar përveç Saimir Tahirit”, ka thënë ai. Gjithashtu, gjatë bisedës në studio, Burimi është shprehur se me të gjitha aferat dhe skandalet e publikuar drejtësia nuk mund të heshtë. “Edhe për aferën e Saimir Tahirit, të njëjtën argument u munduan ta mbronin. Duhet një presion i madh popullor mbi drejtësinë që të funksionojnë.
E njëjtë si populli rumun që vërshuan rrugëve përpara drejtësisë. Pra, dhe populli shqiptar t’i tregojë SPAK se nuk po bën asgjë dhe të veprojë. Nuk është normale që SPAK nuk merr në dorë as edhe aferën e Alda Klosit”, tha ai. Po ashtu foli edhe për grabitjen e ndodhur në banesën e ish-këshilltares së Kryeministrisë, Alda Klosi, duke u ndalur edhe te reagimi i qeverisë. “Duhet bërë presion tek drejtësia pasi nuk është normale që në të gjithë këto paçavure, nuk merren as në pyetje. Nuk merret as Rama në pyetje. Prokuroria duhet të merrte kompjuterin e Alda Klosit”-u shpreh analisti.
Në fakt prokuroria ende nuk dihet nëse e ka marrë nën hetim zyrtaren e lartë, ndonëse ajo mësohet se është marrë në pyetje sërish ditën e djeshme në lidhje me sasinë prej 404 mijë eurosh që u gjend në kontrollin e dytë të shtëpisë së dy të arrestuarve si vjedhës të shtëpisë së Alda Klosit. Kjo e fundit mësohet se nuk pranon që shuma prej gati gjysmë milioni euro të jetë e saj, duke bërë të mundur kështu futjen e grupit hetimor në një rrugë pa kthim, pasi asaj shume askush nuk i del për zot. Rozeta Dobi, gruaja që pranon vjedhjen, pohon se gjithë shuma është marrë në banesën e Klosit.

