Ish-zyrtarja e kryeministrisë Alda Klosi është arrestuar mbrëmjen e kaluar. Klosi akuzohet për pastrim parash, pasi pastruesja e nxorri zbuluar.
Rozeta Dobi e cila organizoi vjedhjen në shtëpinë e saj bashkë me djalin Havier Dobi, në dëshminë e saj para policisë ka zbuluar se në banesën e Klosit kishte parë shumë para. Tanimë dosja pritet që të kalojë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me akuzën e pastrimit të parave.
Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet.
Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave.
Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.
Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej.

