Autoritetet italiane arrestuan një nga bosët e organizatës mafioze Ndrangheta, i cili ishte në kërkim prej pesë vitesh. Pasquale Bonavota u arrestua në një katedrale në Xhenova, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti në vitin 2018 për vrasje dhe lidhje me mafian. Bonavota u ndalua pasi hyri në katedralen e “San Lorenzo”.
“Ndoshta unë nuk jam Pasquale që po kërkoni, kam ardhur këtu për t’u lutur,”-por fjalët e tij nuk i bindën efektivët që kishin shkuar ta prangosnin. Bonavota jetonte në një apartament në San Teodoro bashkë me të shoqen, e cila punon si mësuese.
Pasquale Bonavota
Sipas Policisë italiane, Bonavota është bosi i Ndrangheta-s, një familje e fuqishme që kontrollon kontrabandën e kokainës në Evropë. Ai është një nga 300 personat që po gjykohen për përfshirjen e tyre në krimin e organizuar, ndërsa aktakuza e përshkruan atë si personin që merrte vendimet e mëdha të rrjetit kriminal dhe që koordinonte aksionin në Romë të bixhozit dhe drogës.
Në janar të po këtij viti, autoritetet italiane arrestuan sicilianin Matteo Messina Denaro , i cili ishte në kërkim për 30 vjet. Ndraghetta “e ka origjinën” nga rajoni i Kalabrisë në jug të Italisë. Së bashku me Cosa Nostra nga Siçilia dhe Camorra nga Napoli, është një nga tre organizatat kryesore kriminale italiane që ende operon pavarësisht goditjeve të vazhdueshme nga autoritetet.

