Dan Hutra, autori i masakrës në Paskuqan ka rrëfyer në Polici me detaje planin makabër që kishte vendosur të realizonte dje. 40-vjeçari ka deklaruar se Marjana Gurakuqin, gruan që plagosi në Astir donte ta vriste për shkak të një borxhi të supozuar nga ana e tij. Ai ka thënë se në Kamëz nuk donte të vriste gratë por ish-vjehrrin e tij. Më pas ka treguar se në shtëpinë e Vladimir Kurtit ka kërkuar për vëllain e tij. Duke mos e gjetur vrau Etlevën.
Pjesë nga dëshmia e dhënë në Polici:
Planin e kisha të përgatitur dhe kisha 4 objektivë për të vrarë. Në fillim doja të vrisja 40 vjeçaren në Astir, të cilën doja ta prisja në fyt, por u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë. Doja ta vrisja sepse më kishte 80 mijë euro borxh. Nuk doja ta qëlloja me armë sepse më pas nuk realizoja dot vrasjet e tjera. Më pas shkova në Kodër-Kamez, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin, por duke qenë se nuk e gjeta më shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë.
Më pas kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh. Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: A ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja. Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar. Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie te cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së 4 unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg.
Masakra ndodhi dje në Paskuqan, ku Dan Hutra shkoi në banesën e familjes dhe qëlloi me breshëri gratë, ku vdiqën Hasime Dafku dhe MevluteHysa , ndërsa Elena Hysa me të ëmën, Kujtimen u plagosën rëndë. Me largimin nga Paskuqani, ai shkoi në Kamëz ku ekzekutoi Etleva Kurtin dhe më pas në Astir plagosi një nga të dashurat që kishte lidhje intime, shtetasen Marjana Gurakuqi.

