Më 14 Shkurt, me makinë-bombë ka qenë i planifikuar atentati ndaj Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani. Kështu pretendohej nga portali moldav “Realitatea”. Pretendohet se akti duhej të ndodhte gjatë vizitës së Osmanit në Transnistri (Pridnestrovje) një rajon separatist në Moldavi, që tashmë tri dekada nuk është në kontrollin e autoriteteve të Moldavisë. Në Transnistri jetojnë forca lojale të Moskës, kurse në këtë rajon janë të stacionuar rreth 2.000 ushtarë rusë.
“Tiraspol paraqet hipoteza të reja të prejardhjes së bregut të majtë të Dniestër. Kievi akuzohet për planifikimin e një sulmi ndaj misionit të OSBE-së në Bender, përveç vrasjes së liderëve separatistë. Shpërthimi do të ndodhte më 14 shkurt, kur kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, të ishte duke vizituar rajonin. Në delegacion ishin rreth 20 persona. Dhe në këtë rast, bëhej fjalë për një makinë në të cilën ishte vendosur një lëndë plasëse. Automjeti do të parkohej pranë kalasë Tighina. Tiraspol pretendon se delegacioni do të hidhej në erë rrugës për në Kishinau, por ekzekutori e kishte braktisur idenë, për të mos vënë në rrezik jetën e tij,“-shkruhet në median që publikoi shkrimin.
Organet hetuese në Tiraspol kanë prezantuar një video-xhirim të momentit ku pretendohet se agjenti ka ndjekur delegacionin e OSBE-së që udhëhiqej nga Bujar Osmani.

Ndërkohë që nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut thonë se nuk kanë qenë në dijeni, e madje nuk ka pasur as indikacione për një atentat të mundshëm.
“Në kuadër të OSBE-së, vizitat e delegacioneve të Organizatës dhe vizitat e kryesuesit parashikojnë protokolle të veçanta sigurie, të cilat janë nën juridiksionin e vendit pritës. Vizitat e realizuara në Ukrainë, Moldavi, si dhe vizitat e planifikuara në terren në zona të tjera të ashtuquajtura të kërcënuara, realizohen me një tregues të qartë se janë vizita të delegacionit të OSBE-së, të cilat në marrëdhëniet ndërkombëtare konsiderohen vizita me rrezik dhe vigjilencë të shtuar. Kryesuesi kishte besim të plotë në shërbimet e sigurisë së Moldavisë dhe tek autoritetet atje, të cilët garantuan sigurinë e tij dhe të delegacionit,”- thonë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.
Vizita e Bujar Osmanit, ishte e shoqëruar edhe nga gazetarë nga Maqedonia e Veriut, më 13 dhe 14 Shkurt, ndodhi në kohën e situatës së tensionuar politike në Moldavi. Më 24 Shkurt, në përvjetorin e nisjes së agresionit rus në Ukrainë, Presidenti rus, Vladimir Putin, shfuqizoi dekretin e vitit 2012, me të cilin Kremlini garanton sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Moldavisë.

