Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar ditën e sotme detaje nga atentatet ndaj miqve të Ervis Martinajt. Ai u ndal në ekzekutimin e dy biznesmenëve në Kurbin, konkretisht Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.

Hoxha deklaroi në ABC se natën kur ka ndodhur ngjarja, është regjistruar edhe një plagosje ndërkohë që i është vënë tritol një hoteli në Tiranë për të shpërqendruar vëmendjen e hetimeve.


“Bëhet fjalë për një skuadër të mirëfilltë vrasësish me pagesë, shumë të organizuar. Pasi u plagos Eduart Lamaj ai u soll në spital privat dhe i gjetën mjekë të mirë. Po ashtu, këta që po rrinë në burg tani, po mbahen në kushte shumë të mirë dhe kanë një mbështetje ligjore nga avokatë të mirëpaguar. Pyetja që prokuroria dhe policia nuk zbardhën është: Ore kush paguan për këta?!”.
“Ky person i plagosur nuk kishte lidhje me ngjarjen , por mbeti i plagosur për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve. Po ashtu, iu vu tritoli një hoteli në Tiranë për të shpërqendruar vëmendjen”, tha Hoxha.
Ai foli edhe për vrasjen e Klisman Preçit ku objektiv ishte Ylli Brahimi i cili lëvizte me makinën e Ervis Martinajt. Hoxha tha se babai i vikimës ka hapur derën e shoferit menjëherë pas atentatit pa e ditur se aty ndodhej i biri.
“Momenti tragjik është kur babai i Klisman Preçit shkoi për t’i dhënë ndihmë viktimave dhe nuk e dinte që në vendin e shoferit ishte pikërisht djali i tij. Kur u dëgjuan krismat, ai ishte shumë pranë dhe shkoi ëpr ndihmë në krahun e Ylli Ibrahimit dhe pastaj gjeti të birin e tij në vendin e shoferit”, tha Hoxha duke shtuar se skuadra e qitësve profesionistë e kishte studiuar mirë terrenin për të realizuar vrasjen.
“Pas vrasjes, autorët dhe dy personat që kujdeseshin në terren për hapjen e shtegut të kalimit të tyre, hipën në makinën tip Audi dhe u larguan nga aty duke humbur gjurmët”, tha Hoxha, ndërsa shtoi se më pas makina është gjetur nga vetë babai i Klisman Preçit e braktisur në një tunel.

