Erion Alibej i druhej seriozisht një hakmarje të mundshme dhe kjo nisur nga vrasjet e shumta në seri, që prej 29 dhjetorit të vitit 2018, natën që humbi të vëllanë, Endrit Alibej, në atentatin e ndodhur në Bradashesh. Gazetari Elton Qyno shkrun për OraNews se përpara prokurorëve të SPAK, ai ka treguar një moment kur ndodhej në shtëpinë e tij, në takim me shefin e sektorit të Krimeve, Leonard Palushi, i cili ndodhet pas hekurave. Alibej ka sqaruar se si ai kontrollonte lëvizjet e personave të dyshimtë rreth lagjes së tij, ndërkohë që mbante pa lëshuar nga duart një tablet “IPAD”, të cilin e merte me vete kudo që shkonte.
Madje veç instalimit të një numri të madh kamerash me cilësi të lartë filmimi, Erjon Alibej, kontrollonte hapësirat edhe përmes tre dronëve që herë pas here i ngrinte në fluturim. Aktualisht tashmë tre dronët e tij janë sekuestruar nga SPAK dhe së bashku me dy “Hard Disqe”, janë çuar për ekspertim komjuterik në policinë shkencore.
“…më ka ardhur Leonard Palushi, në banesë dhe jemi takuar. Në këtë takim isha me IPAD në dorë, sepse nga rrethanat që më kishin ndodhur, isha i detyruar bashkë me familjarët e mi, të ruheshim gjatë gjithë kohës. Përmes IPAD-it unë vëzhgoja, kamerat e sigurisë që kisha në aprtament dhe në rrugë afër pallatit ku banoja. Mbaj mend që Leonard Palushi, më thotë se kamerat ishin shumë ta qarta dhe shumë të pastra si kamera…”- ka treguar në prokurori Erion Alibej.
Ndaj, heqja e kamerave të sigurisë nga policia e Elbasanit, në zonën ku banon familja e Erion Alibejt, duket se ka sjellë depërtimin e kundërshtarëve të tij. kjo gjë bazuar dhe në zbulimin e makinës që ishte bërë gati për atentat, pasi brenda kishte dy kallashnikovë, një pistoletë “Glock” dhe dy shishe benzinë.
Kjo gjë ka vënë në alarm njerëzit e afërm të Erjon Alibej dhe kunatin e tij, që ndodhet në të njëjtin pallat, Arben Spahiu. Ky i fundit është vëllai i Arjan Spahiut i vrarë në Belgjikë, ku autor i kësaj ngjarje dyshohet se është Mikel Kamami alias “Keli i Kicit”. Njëherësh Arbeni, është vëllai i Rigers Spahiut, të arrestuar për arsenalin e armëve të zbuluara në muajin Tetor 2022.
Por versioni se pikërisht ky mjet dhe armatimi, mund të përdoreshin për goditjen e njerëzve të Alibejt, nuk është i vetmi që qëndron në tavolinën e hetuesve.
Një version i dytë, i ngritur prej tyre është se makina dhe armatimi, mund të jenë bërë gati nga vetë njerëzit e Erjon Alibej, për të goditur Talo Çelën dhe Elton Kilën (Oti). Ky version vjen në një kohë, pasi në muajin Tetor 2022, policia kriminale e Elbasanit, zbuloi në çatinë e një banese një arsenal të madh armësh, që i përkisnin grupit të Erion Alibejt. Për këtë ngjarje, Luis Gaxhit alias Isai dhe miku i tij Rigers Spahiut me profesion elektroaut, u arrestuan nga policia.

