Valter Bami është lënë në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Tiranës. Avokati i tij deklaroi para mediave se gjykata është në një pozicion shumë të dobët e se po vepron në mënyrë arbitrare dhe në presion.
‘Aparati telefonik i klientit tim ishte i ndezur, janë aty pamjet kur ka ndodhur ngjarja. Ai ishte në banesë. Gjykata ndodhet në një pozicion shumë të dobët, vepron në mënyrë arbitrare nga opinioni dhe presioni. Këto pengojnë dhe lëvizjet, argumenti është se në lidhje me faktin se ky person ka qenë i dënuar, ai ka qene i dënuar për një armë relike. Klienti im shpjegoi se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në shtëpi’– tha avokati.
Bami u arrestua dy ditë pas atentatit në Larushk ku humbi jetën, Ramazan Sino, dhe u plagosën dy femijët e mitur të Gentjan Bejtjes, i cili ishte edhe objektiv i atentatit.
Prokuroria ka dyshime se Bami mund të ketë marrë pjesë në këtë ngjarje, edhe pse ai pretendon se nuk ka asnjë lidhje me atentatin, dhe ditën kur ai ka ndodhur ka qenë në banesë. Bami ka deklaruar para hetuesve se ai dhe Sino kanë qenë kushërinj, dhe se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me krimin.
E vetmja provë që ka deri tani prokuroria është shenja e barutit në dorën e majtë të Bamit, të cilën ai pretendon se e ka për shkak të qitjes që kryen me një armë sportive që e ka me leje.

