Policia ka bërë të ditur se janë shoqëruar tre persona në komisariat, si persona që kanë dijeni për atentatin që ndodhi gjatë mesnatës në banesën e Gentjan Bejtjat. Sipas forcave blu, kontrollet janë ushtruar në tre banesa, duke bërë që më pas të shoqërohen 3 persona.
E po ashtu, Policia specifikon edhe moshat e djemve të Bejtjas, i cili ishte ‘tageti’ mirëpo shpëtoi edhe kësaj radhe. Për fat të keq, dy djemtë e tij, të moshave 13 dhe 10-vjeç mbetën të plagosur, ndërsa viktima është 29-vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmë, për ngjarjen e ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit G. B., ju bëjmë me dije se: Ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasi R. S., 29 vjeç, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, dy të mitur të moshës 13 dhe 10 vjeç, (nipat e shtetasit R. S).
Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Në përfundim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen, do të ketë një njoftim për shtyp në vijim.

