Policia ka mundur të marrë në pyetje njërin prej fëmijëve të Gentian Bejtjas i cili ka pohuar te hetuesit se babai i tyre ka qenë në automjet me ta, duke konfirmuar kështu se 42-vjeçari ndodhet ne Shqipëri. Për vendndodhjen e tij, policia ka marrë informacione në rrugë operative se fshihet në Laç, megjithatë nuk janë bërë kontrolle.
Të shtënat me breshëri i morën jetën kunatit të Gentjan Bejtjas ndërsa lanë të plagosur dy djemtë e tij 10 dhe 13 vjeç të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gentian Bejtja është një personazh me shumë dritëhije i botës së krimit. Ai ka qenë mik i ngushtë me Enver Stafukën i cili rezulton i zhdukur prej 8 vitesh dhe së bashku dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. E po ashtu, është personi që kontaktoi i fundit me biznesmenin e vrarë të kromit Iljaz Calit. Deri më sot, ai u ka shpëtuar 2 atentateve.

