Ndërkohë që radikalisti Xherxh (Gjergj) Laçi pretendon se nuk ka ushtruar dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve të tij, të cilët i mbante të ngujuara prej 6 vitesh, të kundërtën thonë dy fëmijët e tij. Në dëshminë tronditëse dy djemtë shprehen se “babai i tyre mbante thika në brez, ndërsa rrihte nënën dhe e dhunonte sistematikisht”.
Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e disponon gazetarja e News24, Klodiana Lala thuhet se njëri prej djemve “Prej tre vitesh nuk është lejuar të dalë, babai i tyre i kërcënonte duke i thënë se nuk duhet të dilni sepse të tjerët duan që t’ju vrasin”.
Po ashtu ata thonë se jetonin në kushte të vështira ekonomike, ushqeheshin vetëm nga ushqimet që i dërgonin familjaret. Konkretisht xhaxhai dhe gjyshi, që nuk lejoheshin të futeshin brenda, po i linin ushqimet tek dera e banesës.
Ata thonë se në oborr mund të luanin, por në darkë detyroheshin të futeshin herët brenda dhe të flinin, sidomos ditët e ftohta pasi nuk kishin ngrohje.
Njëri prej tyre ka prekur me dëshminë e tij, duke thënë se “unë dua ti kthehem një jetë normale dhe të shkoj në shkollë si gjithë bashkëmoshatarët. Gjithashtu kam dëshirë të ndjek një kurs futbolli”. / News 24

