Shtyhet vendimi për masën e sigurisë së Valter Bamit, i cili është i arrestuar për shkak të atentatit në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 2 fëmijë të mitur, disa ditë më parë.
Prokurori i çështjes ka kërkuar kohë dhe seanca për caktimin e masës për Bamin do të jepet të hënën në orën 09:00.
Valter Bami u ndalua për akuzën e armë mbajtjes pa leje. Sipas policisë 4 orë pas atentatit ku mbeti i vrarë Ramazan Sino, kunati i Gentjan Bejtjas dhe u plagosën 2 fëmijët e mitur të Bejtjes u shoqëruar në polici Bami. Ky i fundit iu nënshtrua një ekspertimi dhe rezultoi se në dorën e tij të majtë u gjetën mbetje baruti.
Bami pretendon se disponon një armë sportive me leje të marrë në fund të vitit 2020, për të cilën do të dorëzoj në gjykatë edhe dokumentin përkatës. Sipas avokatit, Bami, disa orë para atentatit ndaj Gentian Bejtjes në fshatin Larushk ka lëshuar një fishekzjarr për ditëlindjen e të motrës, megjithatë nuk e përjashton mundësinë që mikro-grimcat e gjetura te kyçi i dorës të jenë të armës së tij sportive, pasi sipas Bamit shpesh e pastron armën.

