Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se secili prej pjesëtarëve të “grupit të Alibeajt” është i mirëpritur të kandidojë në “Primare”.
Berisha duke folur në studion e ABC, shtoi se nëse ata nuk e ndiejnë veten në këtë proces, atëherë sipas tij mund të dalin si fraksion më vete.

Sipas Berishës, e vetmja gjë që nuk mund t’u ofrohet atyre është që të anulohen “Primaret” dhe të vendosen pollet të barazvlefshëm me “Primaret”.
“Biseduan me prirjen më të plotë për bashkim. Partia Demokratike sot, është një parti e rithemeluar, me një statut të vetin. Politikisht dhe juridikisht kryetar është ai që ka njohur gjykata. Gjykata ka njohur statutin e 11 dhjetorit. Këtë vendim gjykate e mban peng Edi Rama. Problemi është se kjo gjykatëse mercenare, që s’duhej ta bënte kurrë, me zero integritet, shpalli palë atë që nuk ishte palë. Është asgjësimi i mekanizmit të drejtësisë. Paloka e tha fare hapur sot, grupi i Alibeajt nuk pranoi statutin e 11 dhjetorit. Secili prej tyre është i ftuar të kandidojë ku të dojë në primare, është i mirëpritur. Secili prej tyre është i mirëpritur që të kërkojë mekanizmat maksimale të procesit. Në qoftë se nuk e gjejnë veten, atëherë të dalin si fraksion. E vetmja gjë që nuk mund të ofrohet është që të anulohen primaret, ose të vendosen pollet të barazvlefshëm me primaret. Se përndryshe bota nuk bënte votime, por bënte polle”, u shpreh Berisha.

