Gjykata e Elbasanit ka lënë prapa hekurave 60-vjeçarin, Aqif Bezati, i arrestuar pak ditë më parë me municione të shumta në banesën e tij në fshatin Dëshiran të Belshit.
Kontrollet e policisë u zhvilluan në kuadër të kërkimeve për arrestimin e të shumëkërkuarit Talo Çela. Ndërkohë, një masë më e lehtë sigurie është dhënë për të arrestuarin tjetër, Veli Deliu, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar “Arrest shtëpie”.

PROVAT E PROKURORISË
Katër ditë pas arrestimit, Prokuroria e Elbasanit dha detaje nga dosja hetimore, duke theksuar se Gjykata lejoi kontrollin e banesave, automjeteve dhe ambienteve të tjera të lidhura me këta dy shtetas më 11 tetor. Dy ditë më vonë, Policia e Cërrikut dhe Drejtoria e Policisë së Elbasanit nisën kontrollet, duke sekuestruar armë dhe municione të shumta.
Në banesën e shtetasit, Aqif Bezati, i njohur si mik i Talo Çelës, u sekuestrua një armë zjarri pistoletë TT, mod.54 me një krehër me 8 fishekë, 539 copë fishekë mod.54, kal.7.62 mm; një armë zjarri luftarak mol.56 dhe kal.7.62 mm, 5 krehra hark metalik nga të cilët 4 të mbushur me fishekë mod.56 dhe kal.7.62 mm; 2835 copë fishekë mod.56 dhe ka.7.62 mm, 9 copë fishekë armë zjarri mod.53, kal.7.62 mm; 2 granata dore mësymëse;
2 ndezëse të unifikuar; 3 granata dore të tipit mbrojtëse me ndezës dhe unifikuar dhe një granatë dorë mbrojtëse me tapë ebaniti; një qese plastike me material bimor të thatë të ngjashëm për nga era dhe karakteristikat fizike me lëndën narkotike të llojit kanabis sativa me peshë totale 3.6 kg, një sasi bimësh të thata me kërcell dhe boçe të ngjashme me bimën narkotike të llojit opium me peshë totale 1.4 kg; 2 aparate telefonik celular, 10 copë fishekë armë gjahu kal.12 mm dhe një sasi e konsiderueshme të hollash prej 54.000 lekë, 260.000 lekë, 1.056.000 lekë, 2.170.000 lekë, 220.000 lekë, 980 paund britanik, 4020 paund britanik, 7.250 euro, 1700 euro.
U VODHËN 100 MIJË EURO?
Po, gjatë kontrolleve në banesën e 60-vjeçari, dyshohet se u vodh një sasi e madhe parash nga ana e efektivëve të policisë. Për këtë arsye, kanë nisur hetimet për një shumë prej 100 mijë paund që dyshohet se u vodhën në banesën e shtetasit, Aqif Bezatit. Ndërsa ende nuk dihet se pse shuma e madhe e parave mbahej në banesë dhe nëse ato përdoreshin nga grupet kriminale, ajo që dihet është se kanë nisur hetimet për një nga efektivët e policisë që ishte pjesë e operacionit dhe që dyshohet se ka larguar shumën e konsiderueshme të parave pak para nisjes së aksionit të kontrollit. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur zyrtarisht edhe një procedim penal ndaj efektivit të Policisë. Ndërkohë, në banesën e të arrestuarit tjetër u gjet vetëm një armë gjahu, si dhe disa kuti me fishekë.
Kapja e Talo Çelës u dekonspirua
Kontrollet në banesën e Aqif Bezatit u ndërmorën me urdhër të Gjykatës së Elbasanit pas dyshimeve se në banesën e tij fshihej i shumëkërkuari Talo Çela, i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale si dhe në një nga grabitjet e bujshme në Rinas. Por, as gjatë kontrolleve të nisur në orët e para të mëngjesit të 13 tetorit, nuk u gjet asnjë gjurmë nga Çela, emri i të cilit doli edhe në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” pas dëshmive të ish-mikut të tij, Nuredin Dumani.
Ka dyshime të forta se edhe në këtë rast, operacioni është dekonspiruar dhe i shumëkërkuari nga organet e drejtësisë të jetë larguar shumë më herët se forcat e rendit të mbërrin në banesën e Bezatit, brenda të cilës u gjetën armë dhe municione të shumta. Më herët, qarkulloi lajmi se ishin kontrolluar edhe tabulatet telefonike të të arrestuarit për të parë nëse kishte komunikime me Talo Çelën, por ky kontroll nuk u ka treguar hetuesve asnjë detaj domethënës për zbulimin dhe arrestimit e tij. Talo Çela është në kërkim midis të tjerash edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj në Durrës dhe për grabitjen e .3 milionë eurove në Rinas në prill të vitit 2019. Nga përplasjet me Nuredin Dumanin, Çelës iu ekzekutoi vëllai më 17 shtator 2020 në një lokal në Elbasan. / Panorama

