Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar Taulant Ballën si Ministër i Brendshëm i vendit. Dekretimi nga Begaj ka ardhur pasi kryeministri Edi Rama propozoi Ballën si Ministër i Brendshëm dy ditë më parë. Para se të emëronte Ballën si Ministër i Brendshëm, Rama shkarkoi nga detyra Bledi Çuçin, i cili mbante këtë pozicion më parë.
Presidenti propozimet e Ramës i mori gjatë paradites së ditës së sotme dhe pas shqyrtimit i miratoi. Për Ballën, ky është posti i parë i tij ekzekutiv. Në jetën politike aktvite të tij, Balla ka qenë pjesë e qeverisë Nano dhe prej vitit 2005 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Vendimi i kreut të qeverisë për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës erdhi pas ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë që tronditi opinionin publik, dhuna e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja për guroren në Krujë. Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikut 2023, ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës për guroret, që i përkisnin familjes së deputetit të Partisë Socialiste. Organizatorët u kujdesën ta filmonin për t’ia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre. Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar. Pas ngjarjes së rëndë, deputeti Rrahman Rraja dha dorëheqjen.

