Një Oficer i Policisë Gjyqësore, i cili shërben pranë Prokurorisë së Tiranës është pyetur nga hetues belgë dhe shqiptarë lidhur me implikimin e tij në një marrëdhënie përtej profesionit, me Kasandër Nogën. Gazetari Elton Qyno shkruan për “Ora News” se në kuadër të hetimeve që autoritet belge po kryejnë në Shqipëri për Kasandër Nogën dhe Kevin Suçin alias Zeneli është pyetur OPGJ-ja, me inicialet Sh.K.
Hetuesi shqiptar rezulton të ketë dalë zbuluar nga një mesazh fotografik të dërguar me telefon nga Shqipëria në Belgjikë për Kasandër Nogë, të cilin e kishte informuar lidhur me lëvizjet e Mikel Rakipllarit që më vonë rezultoi të ishte Erion Hasanbelliu. OPGJ-ja shihte në sistemin TIMS të gjitha lëvizjet e Rakipllarit, por edhe të Renato Rapajt, ky i fundit një mik i ngushtë i Hasanbelliut.
Kontaktet dhe mesazhet informuese të oficerit të Tiranës në drejtim të Kasandër Nogës janë gjetur nga belgët në telefonin e Kasandër Nogës, i cili u kap nga policia e Brukselit pas atentatit për vrasjen e Hasanbelliut. Ndaj dhe ka dyshimet se ky efektiv policie ka duke shfrytëzuar rrjetin dhe sistemin informativ të Policisë Shqiptare, Kasandër Noga, ka marrë të dhëna të sakta mbi udhëtimet e kundërshtarit të tij Erion Hasanbelliut dhe Renato Rapaj. Ndaj dhe ka tentuar që ta heqë qafe në Shqipëri, duke informuar Kevin Suçin, me qëllim vrasjen e Hasanbelliut në 11 qershor 2022.
Goditja e tij është kryer me 7 plumba të një pistolete “Makrov”, teksa Hasanbelliu po udhëtonte me makinë në bulevardin “Adolphe Max 76” në Bruksel, e në fillim u pretendua se i plagosuri ishte Mikel Rakipllari, pasi në makinë gjeti pasaportën e tij dhe u zbulua se në fakt i plagosuri ishte Erion Hasanbelliu.
Gjithashtu, belgët i kanë kërkuar palës shqiptare të verifikojë nëse pistoleta tip “Makarov” e përdorur në tentativën e vrasjes së Erion Hasanbellin, është në armë e policisë së Shtetit ose jo. Belgët kanë kërkuar edhe kontrollin e banesës së Kevin Suçit, marrjen në pyetje të tij, si dhe marrjen e një profili AND-je.
Kevin Suçi konsiderohet si “krahu i djathtë” i Kasandër Nogës. Ai e ka ndërruar mbiemrin nga Suçi në Zeneli pasi ka kryer një martesë fictive me një vajzë me probleme të shëndetit mendor. Emri i Suçit doli në dritë pas arrestimit të vëllezërve Indrit e Gentian Beqiraj, të cilët u vunë në pranga, pak çaste pasi kishin tentuar t’i bënin një atentat Pëllumb Muharremit alias Rrumi’, por që u pikas nga ‘ushtarët’ e këtij të fundit. Vëllezërit Beqiraj zbërthyen të gjitha punët e kryera prej tyre, me urdhër të Suçit.

