BILD-i gjerman hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama ditën e sotme, të cilin e ‘shënjestroi’ si personin që ka përdorur Byronë Federale të Hetimit (FBI) për të shpallur non-grata kryedemokratin Sali Berisha.
Por, vetëm një orë pas publikimit, shkrimi u fshi. Gjithsesi, gjithçka duket se ka qenë aksidentale dhe këtë gjë e ka sqaruar vetë gazetari.
Herbert Bauernebel, gazetari që publikoi dhe fshoi sot artikullin në BILD, nuk i heq ‘asnjë presje’ asaj që ka shkruar. Gazetari gjerman, në një përgjigje për kolegun e tij në Shqipëri, Klodian Tomorri, thotë se arsyeja e fshirjes së artikullit është thjesht se ai u publikua më herët se ç’ishte planifikuar.
Bauernebel shton se artikulli do të jetë nesër në faqen e medias gjermane, njësoj siç u publikua sot, duke hedhur poshtë teoritë se fshirja e lajmit nënkuptonte përgënjeshtrimin e tij apo tërheqjen e akuzave gjithashtu.

