Më 28 korrik të vitit 2010 përmes rezolutës 64/292, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në mënyrë eksplicite njohu të drejtën e njeriut për ujin dhe kanalizimet dhe pranoi se uji i pijshëm i pastër dhe kanalizimet janë thelbësore për realizimin e të gjitha të drejtave të njeriut.
Në nëntor 2002, Komiteti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore miratoi Komentin e Përgjithshëm Nr. 15 për të drejtën e ujit. Neni.1 thotë se “E drejta e njeriut për ujin është e domosdoshme për udhëheqjen e një jete në dinjitetin njerëzor dhe është parakusht për realizimin e të drejtave të tjera njerëzore”. Komenti Nr. 15 gjithashtu përkufizoi të drejtën për ujë si e drejtë e gjithkujt për ujë të mjaftueshëm, të sigurt, të pranueshëm dhe fizikisht të aksesueshëm dhe të përballueshëm për përdorime personale dhe shtëpiake.

Në Shqipëri këto të drejta shkelen gjithnjë.
Reshjet dhe përmbytjet rritën turbullimin e ujit në rezervuarin e Bovillës dhe për këtë kreu i bashkisë së Tiranës Veliaj, tha se mund të kufizohej uji në Tiranë ndaj apeloi qytetarët për ta kursyer atë. Por prej dy ditësh në Tiranë nuk ka ujë dhe qytetarët nuk kanë se si ta kursejnë atë.
Në faqen zyrtare të UKT thuhet se Ndërtimi i Ujësjellësit të Bovillës ështe vepër e rëndësishme sociale dhe ekonomike. Impianti siguron deri në 1800 Litër/sek ujë të pijshëm për qytetin e Tiranës. Sipas UKT Uji merret nga Ujëmbledhësi i Bovillës, i cili gjendet në pjesën verilindore të kryeqytetit. Ujëmbledhësi është formuar nga prerja e lumit Tërkuza me një digë 81 m të lartë, në grykën e Zall Herrit. Ai është mbushur përfundimisht me ujë në gusht të vitit 1998. Një tubacion çeliku me diametër 90 cm dhe gjatësi 10 km sjell ujin me vetërrjedhje nga kulla e Ujëmbledhësit (kuota 275 m mbi nivelin e detit deri tek Impianti i Përpunimit në Kodrën e Kuqe, Babrru (rreth 217 m).
Se ky ujë konsumohet mbetet vetëm një legjendë pasi uji që mbërrin në shtëpitë e qytetarëve përdoret vetëm për të larë e për tu larë.
Prej vitesh ekspertët e ujit të pijshëm deklarojnë se uji i Bovillës që sipas Bashkisë pretendohet se pihet nga qytetarët e Tiranës nuk i plotëson parametrat për të qenë ujë i pijshëm. Madje ata arritën deri aty sa kërkuan që Bovilla të futet menjëherë në karantinë.
Nga ana tjetër Bashkia e Tiranës rriti taksën për ujin. Nga janari i 2018-s, të gjithë banorët e Tiranës do të tariforen 65 lekë për çdo m³ ujë që vjen në çezmat e tyre. Vendimi për të rritur çmimin me mbi 40% bashkë me dyfishimin e tarifës fikse mujore, u mor në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ndërsa e vetmja që nuk pëson ndryshime është tarifa për ujërat e ndotura.
Përveç familjarëve, preken ndjeshëm edhe bizneset, të cilat nga 135 lekë/m³, do të duhet të paguajnë 190 lekë, me përjashtim të furrave të bukës, të cilat do të tariforen 130 lekë/m³ nga 95 lekë/m³ që ishin më parë. Erion Veliaj tha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se vendimi i hap rrugë projektit më të madh strategjik për kryeqytetin, që është furnizimi i pandërprerë me ujë brenda pesë viteve.
Video e mëposhtme tregon banorët e zonës së “21 Dhjetorit” duke mbushur uji të ndotur në rubineta. (video copyright Jeta Osht Qejf )
https://www.youtube.com/watch?v=qEfML4c5atw
Por për cilësinë e ujit asnjëherë nuk flitet. Ditët e fundit nuk mund të flasim as për vetë ujin i cili mungon në rubinetat e cdo familjeje ndërsa mund të kthehet në rrezik epidemie.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpjegoi në një nga televizionet në vend se niveli i turbullirës së ujit në impiant është më i lartë se ajo që duhet të jetë për tu përpunuar.
Por sipas ekspertëve në rast se uji është i turbulluar,sic është shumicën e kohës në impiantin e Bovillës, ai nuk mund të klorinohet pasi nuk ka efekt.
Prej vitesh Shqipëria vuan mungesën e disa nga elementëve thelbësore të jetesës normale, atë të Energjisë Elektrike dhe të Ujit. Ndonëse taksat rriten, niveli i shërbimit vijon të mbetet i njëjtë në disa raste edhe më I keq se disa vite më parë./sosnews.al