Alda Klosi (Çiko), ish-zyrtare e Ministrisë së Rindërtimit dhe Programit të Reformave njëherësh ish-këshilltare pranë Këshillit të Ministrave, jetonte në një banesë me qira, por koleksionit të bizhuterive të saj nuk i mungonin florinjtë, safirët dhe smeraldët.
‘Fetishi’ i zyrtares për orët e aksesorët e kushtueshëm, u zbulua në momentin që Policia e Tiranës zbarkoi në shtëpinë e pastrueses dhe saj, Rozeta Dobi dhe e vuri në pranga bashkë me djalin, Havier Dobi. Bashkë me bizhuteritë, u gjetën dhe tufat me para, në total mbi 120 mijë euro, port ë ndara në vlera të ndryshme. Më konkretisht u gjetën: 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, para për të cilat zonja Klosi nuk rezulton të ketë publikuar ndonjë faturë.
Në rrëfimin e saj, në një intervistë për ‘5 pyetjet’ ajo pranoi pronësinë e parave e sendeve të gjetura dhe tregoi se i kishte kursyer për kurimin e xhaxhait, për të cilin thotë se është diagnostikuar me kancer, por sërish, mbajtja e këtyre paratë ‘cash’ në banesë, është e jashtëligjshme. Klosi hyn në kategorinë e punonjësve të administratës, që ka detyrim të deklarojë pasurinë e saj pranë ILDKPI dhe ka një limit për mbajtjen e parave ‘cash’ në shtëpi, që nuk duhet të kalojë shofrën e 10 milionë lekëve të vjetra. Mbi këtë vlerë, gjithçka duhet të ketë një faturë që të vërtetojë burimin.
Tashmë hetimi për të ka nisur dhe burimi i parave do të dalë në dritë në vijim, por dyshim ngrenë dhe paratë që janë përdorur për të blerë këtë sasi të madhe aksesorësh florinjë gurë të çmuar. A ka çertifikatë blerjeje? Me ç’para janë blerë? Dhe nëse janë dhurata, a janë deklaruar si të tilla pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në Tiranë?

