Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2023. Në fjalën e saj në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave në Kuvend, ministrja Ibrahimaj sqaroi dhe se taksimi për biznesin e vogël nuk do të ndryshojë e do të mbetet zero përqind deri në vlerën e 14 mln lekëve, ndërsa më pas e lexoi të gjithë dokumentin e përpiluar për menaxhimin e arkës së shtetit gjatë vitit që do të vijë. E para gjë që ra në sy ishte fakt që shpenzimet do të kapnin një nivel rekord deri më tani, duke u shtuar me 1 mld lekë më shumë se nga sa është parashikuar për këtë vit.

Ndërkohë që deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pjesë e Konferencës së Kryetarëve, kërkoi fillimisht që prezantimi i projektbuxhetit të mos bëhet pa paketën fiskale, pasi ai nuk mund të miratohet dhe nuk mund të ndërtohet pa përfshirë masat fiskale.
“Në prezantimin e buxhetit do ju sqarohet se si do implikojë paketa fiskale buxhetin. Të dyja do diskutohen bashkërisht. Paketa do miratohet të mërkurën e ardhshme dhe do diskutohen bashkërisht”, – njoftoi ministrja Ibrahimaj.
PJESË NGA DEBATI:
Jorida Tabaku: Këtu diskutojmë për buxhetin 2023 por nuk kemi paketën fiskale. Ka disa propozime të reja që duhet të kishin ardhur në këtë. është paguar kalimi i lojrave të fatit, taksa e re. Besoj se duhet t’i gjykojmë, fillimisht me paketën fiskale dhe më pas me buxhetin.
Balla: Në eksperiencën tuaj të gjatë parlamentare, ju e dini që nuk kalon sot buxheti. Sot prezantimi i buxhetit çel diskutime. Në komisionin tuaj shumë të rëndësishëm do të ketë një diskutim shumë të gjërë. Ligjvënësi është shumë i rëndësishëm. Prandaj do kërkojë mirëkuptimin tuaj. Po u rrëzua paketa nuk ka buxhet.
*vazhdon debati pa mikrofona
Ibrahimaj: Buxheti dhe paketa do të diskutohen bashkarisht.
Tabaku: Ne sot presim që të diskutojmë edhe projektligjet për efektet financiare. Kështu ka ndodhur historikisht. Po shkelni rregulloren
Balla: Rregullorja e Kuvendit ështe vendim. Prevalon ligji i buxhetit. Qeveria ka afat vetëm për ligjin e buxhetit. Qeveria ka detyrim ta sjellë brenda datës 20-25 tetor. Qeveria e ka respektuar ligjin.
Pas përfundimit të fjalës së ministres, të gjithë u larguan për t’u ritakuar javën që vjen me pyetjet lidhur me buxhetin që është parashikuar për t’u përdorur, ku janë përfshirë edhe rikthimi i lojrave të fatit që prej kohësh ishin kthyer në të ndaluara në Shqipëri.

