Pak ditë pas sekuestrimit të një sasie prej 430 kilogramë kokainë në fshatin Frakull të Fierit, të tjera detaje dalin në dritë rreth aktivitetit kriminal.
Në dosjen e Prokurorisë, e cila është depozituar në Gjykatë për të caktuar masën e sigurisë për 10 të akuzuarit, sqarohet roli i gjithsecilit prej tyre, ndërsa në krye të aktivitetit qëndron Nikolin Gjolena, i njohur si Niko Lushnjari.
Midis provave që prokurorët e SPAK-ut ka në dosjen hetimore, janë përgjimet telefonike.



Nga përgjimet e Prokurorisë, rezulton që zyrtari socialist, Viktor Cervanaku, i cili punonte si drejtor pranë OST-së, gjatë një bisede me nj tjetër person, i tregon se djali i tij ka siguruar “pleh” shumë cilësuar në Amerikën Latine, duke iu referuar këtu kokainës që gjendej e përzier me lëndën narkotike.
“A: Kam marrë një maune me pleh edhe do ta bëjmë atë analizën e plehut; B: Kujt plehut? A: Po ka prurë çuni një maune me pleh nga jashtë. (…) Për ullinj, ta shesë, është plehu mirë, është kështu fertilizant Fredi, pleh shumë i mirë, është me shumë komponent, shumë i mirë. B: Ça thua ore? I madh je! Hahaha”, thuhet në dosje.
TENTATIVA PËR GRABITJE
Sasia e madhe e kokainës me vlerë miliona euro rrezikohej të grabitej, ndërsa magazinohej dhe përpunohej në banesën e zyrtarit të Partisë Socialiste.
Kjo del nga një tjetër përgjim i prokurorëve të SPAK-ut, ku flet Denilson Cervanaku, i cili thotë midis të tjerash se ka qëlluar në ajër me armë zjarri.
“B: Po ndoshta ata kane dashe me e grabit, ndoshta.
A: Kush ata?
B. Ta shpjegon bebi kur të vij në shtëpi.
A: Çar do besh tani?
B: Do nisemi për andej, dhe qëlluam nja dy herë në ajër për zhurmë aq.
A: Beb pomi bëni mirë la çoni ne vend tjetër.
B: Po jo se nesër, pasnesër do e ndajmë si muhabet, se do e përshpejtojmë”, thuhet në dosje.
Në një tjetër përgjim më 16 gusht të vitit 2022, është zbardhur një komunikim midis Denilson Çervanaku dhe të fejuarës së tij, gjithashtu e arrestuar, të cilët diskutojnë në lidhje me përgatitjen e një teksti për dërguesit e ngarkesës, me qëllim për t’ua shpjeguar atyre në Kolumbi, në mënyrë të hollësishme gjithë situatën që ju kishte lindur në Mal të Zi. Nga ana tjetër, Nikolin Gjolena kishte lënë porosi dërgimin e email-eve.
“B: Pse jeni nis kaq herët mor Beb.
A: Po atëherë më thane të nisesha dhe atëherë u nisa.
B: Mire po atë pse e keni marre me vete ‘Sheikun’.
B: Pronarin pse e keni marrë me vete.
A: Po ai do rri aty në fshat mi jeta ime.
B: Ehe. Se keni marre për punën e keni marrë thjesht që ta ktheni ne shpi.
A: Po jo mo do rri anej ai. Car, ca l..sh pune. Car do bëj me punë ai.
B: E pra prandaj u çudita se nuk më duket ide e mire ta shofi njeri atë”, thuhet midis të tjerash në përgjime.
KAPJA E DROGËS
Një sasi prej 430 kg kokainë e përzier me “pleh artificial” për bimë u zbulua në fshatin Frakull të Fierit më 24 tetor. Droga ishte e ndarë në 600 thasë.
Ishte DEA amerikane dhe autoritetet malazeze ato që sinjalizuan policinë shqiptare në lidhje me ngarkesën e kokainës e cila ishte porositur nga biznesmeni Zenel Cervanaku për biznesin e tij.
SPAK ka vënë në përgjime fillimisht biznesmenin, i cili ishte regjistruar si person juridik në QKR për tregtimin e mallrave të importit dhe eksportit, dhe më pas janë zbuluar të gjithë të dyshuarit e tjerë.
“20 paleta me rreth 24 tonë ‘pleh artificial’, brenda së cilës ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se përmban një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e cila referuar shitjes në tregun me pakicë vlera e saj kap shifrën rreth 40 milionë Euro”, sqaroi SPAK.
