Kristi Vangjeli, në një rrëfim si asnjëherë tjetër. Lojtari i Kombëtares shqiptare, Arisit, Odesës, Skënderbeut dhe Prishtinës flet për “athletestories.gr”, duke zbuluar të gjitha vështirësitë e tij në karrierën futbollistike.
NISJA – “Që në moshën 10-vjeçare nisa futbollin në akademitë e Korçës, derisa në vitin 1997 prindërit e mi u zhvendosën në Greqi. Doja të vazhdoja të luaja dhe Fotis Hatzitheodorou, i cili ishte atëherë në Agios Georgios Nea Krinis, më ndihmoi ta bëja këtë gjë. Më pa duke luajtur në shkollën fillore dhe më sugjeroi të shkoja në një seancë stërvitore. Shkova. Padyshim që pa diçka tek unë dhe më tha: ‘Eja nesër, kemi ndeshje’. Problemi ishte se nuk kisha federimin dhe më çoi të garoja me dikë tjetër. Në moshën 15-vjeçare kalova tek ekipi i parë”.
ARISI – “Marcelo ishte ai që më ndihmoi të shkoja tek Arisi në vitin 2001. Rregulloi gjithçka që të shkoja dhe të testohesha. Mbaj mend ishte një e mërkurë e fundmuajit, ndoshta prill. Në atë kohë, Aris me Michalitsos-Semertzidis kishte fituar kampionatin dhe ishte i famshëm për akademitë e tij. U paraqita me nënën. Ajo dhe zoti Michalitsos po më ndiqnin nga jashtë, ndërsa unë po stërvitesha me z. Semertzidis. Që në stërvitjen e parë ai tha se vogëlushi nuk do të stërvitet më me Krinin, por do të vijë këtu. Për dy javë u stërvita me Arisin dhe luaja në ndeshjet zyrtare me Krinin. Në fund të sezonit, më bleu skuadra e Selanikut. Mbaj mend që transferimi im kushtoi 1.5 milionë dhrahmi. Problemi qëndronte se unë nuk kisha letërnjoftim grek dhe merrja pozicionin e një të huaji, ndërsa nga zyrat më thanë se transferimi nuk mund të bëhej, edhe pse im vëlla luante tashmë në ekipin e dytë të PAOK-ut. Arsyeja kryesore që qëndrova ishte Yiannis Michalitsos. Vuri veton dhe më mori në verë për t’u përgatitur me ekipin ‘B’”.

ROLI DHE KËRCËNIMI – “Në atë kohë luaja qendërsulmues dhe ndonjëherë ai më përdorte si anësor të majtë. Por kur doli federimi im, ndodhi si më poshtë. Për shkak se nuk ishin lëshuar shumë federime të tjera, ne kishim një problem në qendër, kështu që ai më kërkoi të luaja si mesfushor mbrojtës. ‘Ti do të bësh vetëm gjërat themelore’, ishte porosia që më dha. Kjo është. Unë e vendosa veten si mesfushor, duke punuar dhe përpjekur ta bëja sa më mirë këtë pozicion. Do të kujtoj gjithmonë nga këta dy njerëz fjalët se: ‘Nëse keni punuar, jeni të justifikuar’. Këtë e them tani si trajner. Edhe sot, para një ndeshjeje me Olimpiakosin, ku Mendrinos ishte ‘yll’, më kujtohen fjalët që më tha në vesh: ‘Do ta mbulosh një për një dhe nuk do ta lësh të prekë topin, përndryshe do të kthej në Shqipëri…’ Sigurisht e tha me shaka, por ishte kokëfortë me mua! Ishte sezoni kur kishim një diferencë të madhe në kampionat dhe ata ndryshuan papritur mënyrën e fitimit të titullit, duke u futur në ‘play off’. Nuk ia dolëm, pasi të gjithë kishim provime në shkollë, për pasojë humbëm kampionatin, edhe pse i kishim mundur të gjithë brenda dhe jashtë.
DEBUTIMI – “Sezoni i ardhshëm ishte prezantimi im i parë në ekipin e parë. Skoboe ishte atëherë trajner dhe kishim një miqësore me Agrotiko Asteras. Fati më kishte përgatitur sërish një surprizë që do të luante një rol të rëndësishëm në karrierën time. Karaliopoulos kishte një problem dhe më pyetën nëse mund të luaja mbrojtës i djathtë. Pa menduar, thashë po. Në pesë minuta kisha bërë 10 ndërhyrje të pastra. Ndoshta me topin në sulm isha prapa, por në mbrojtje dhashë gjithçka. Rreth minutës së 70-të nuk mund të ecja nga dhimbjet. Këmbët më ishin ënjtur nga këpucët, pasi binte shi dhe i kisha marrë hua. Ishin me vida dhe një numër më i vogël. I harrova të gjitha kur, pas përfundimit, Skoboe më njoftoi se tani do të stërvitesha me ekipin ‘A’. U drodha… Ishte nëntor, por nuk munda të luaja me ekipin e parë deri në janar”.
HALLET DHE VEÇIMI – Shkoja në shkollë në mëngjes dhe në stërvitje pasdite. Ndonjëherë më merrte babai, ndonjëherë shkoja me autobus. Kështu që një ditë autobusi ndalon në unazë. Zbres dhe filloj të ec për në Rysio. Papritur një makinë vjen e ndalet pranë meje. Brenda ishte Skoboe, cili më mori me vete. Në fakt, para se të fillonte stërvitja pyeti të gjithë ekipin nëse dikush jetonte pranë meje dhe mund të më ndihmonte për stërvitjen. Naidos u ofrua menjëherë. Një tjetër incident që mbaj mend ka të bëjë me stërvitjen time të parë, kur shkova të kërkoja rrobat te kujdestarët. Më dhanë një palë pantallona të shkurtra, një bluzë me mëngë të shkurtra, çorape dhe më dërguan të ndërrohesha në palestër, jo në dhomën e zhveshjes. Ishte një vend pa dritare dhe po ngrija. Skoboe më pa dhe e pyeti menjëherë Panziarasin pse nuk isha në dhomat e zhveshjes dhe pse nuk kisha rroba. Ai i udhëzoi duke u thënë se normalisht isha lojtar i ekipit. Edhe numrin në fanellë nuk e kam zgjedhur unë. Kujdestari, Kalafatis, ma dha. Sigurisht, më pëlqeu ’32’ dhe e mbajta, më kujtoi Bobon (Vierin) nga Interi im i dashur. Bëra debutimin tim profesionist me Arisin në janar të 2004-ës me fitoren 3-0 ndaj Akratitos, ndeshje në të cilën luajta si mbrojtës i majtë”.
TITULLAR ME DHUNË – “Më ndodhnin gjithmonë gjëra të çuditshme tek Arisi. Sa herë që vinte një trajner i ri, isha zgjedhja e tretë a e katërt. Pas Skoboes dhe Michalitsos, erdhi Hajaras. Vangjeli jashtë, për të luajtur transfertat. Në javën e 7- të, e njëjta gjë me Ogios. Hyra me Olimpiakosin dhe ai nuk më nxori nga skuadra. Ashtu edhe Hernandez. Ndoshta nuk kam luajtur shumë me Bajeviçin, por ai ishte një zotëri dhe kam respekt të pakufishëm për të dhe kolegët e tij. Më ndihmuan të përmirësohem, veçanërisht Dimitris Bouroutzikas, të cilin e konsideroj një nder që kam punuar me të. E vetmja gjë që më mërziti në atë vit fantastik që patëm, ishte se ai më la jashtë skuadrës në finalen me Olimpiakosin në Kavtanzoglio. Nuk e di pse e bëri, ndoshta i thanë diçka. Doja të isha me ekipin, edhe nëse nuk do të luaja për asnjë minutë”.
VETOJA E COOPER-it – “Cooper fitoi respektin e lojtarëve. Në rastin tim doli të ishte mjeshtër. Ndërsa më kishin lajmëruar që të gjeja një ekip dhe të largohesha para stërvitjes verore me arsyetimin se Cooper nuk më merrte në konsideratë, shkova në stërvitje për ta informuar dhe si burrë u përgjigj se nuk ishte sugjerimi i tij për ta larguar, por se i kishin thënë nga menaxhmenti që unë kisha shprehur dëshirën për t’u larguar. Më lejoi të stërvitesha derisa të gjeja një ekip dhe thjesht më kërkoi që të mos i hapja telashe. Më fuste normalisht në dyshe dhe kur më eliminonin, më dërgonte te trajneri për të përfunduar programin. Më trajtoi sikur të isha lojtar titullar, por gjithashtu dhashë gjithçka për ta shpërblyer. Ndërkohë, menaxhmenti çdo ditë më bënte presion që të largohesha. Po flisja me Panioniosin, i cili më paguante mirë atëherë. Në Aris, për tri vitet e para kisha marrë 700 euro në muaj dhe për tri vitet e dyta 25,000 në vit. Sapo firmosa kontratë 120 mijë në vit, më thanë të largohesha, sepse kishin sjellë një spanjoll, që nuk luajti kurrë. Në katër ndeshjet e para të kualifikueseve të Europa League isha jashtë listës. Zgjodha që zemërimin tim ta kanalizoj në punë të palodhur në fushë, sepse luaja edhe me Kombëtaren. Cooper e pa këtë gjë, për pasojë më mori në ekip për ndeshjen e ‘premierës’ në Kavalla, pasi Neto u pezullua. Isha në autobus dhe më bie telefoni. Ishin ata nga zyrat dhe më pyesnin pse isha aty kur më kishin kërkuar të largohesha. Ishin njerëz me një post të lartë tek Arisi dhe po i dëgjoja, duke bërtitur. Jam i sigurt që kishin marrë edhe trajnerin. Po e tregoj që bota ta kuptojë se si vepronte ky njeri. Mëngjesin tjetër, në fjalimin para shpalljes së njëmbëdhjetëshes, ai tha: ‘Për mua ju jeni të gjithë po aq të rëndësishëm’. Pyesja veten nëse ai e tha këtë për mua dhe u konfirmua kur pashë emrin e tij në formacion. Kavalla kishte Onuaçin dhe Abdunin, përkundrazi unë nuk kisha asnjë ndeshje zyrtare në këmbë. Dhe sigurisht që zotërinjtë në menaxhim u çmendën kur mësuan se ai më futi në formacion. Sapo pashë njerëzit në tribuna harrova gjithçka. Kam luajtur një ndeshje shumë të mirë dhe fituam. Në fakt, në fund një nga ata që disa orë më parë këmbëngulte të largohesha, kap dy nga shokët e mi dhe u thotë: ‘E patë? E kam bërë të luajë!’ Tani vuan një goditje në tru… Pasi luajta me Kombëtaren, kur u ktheva, më thirri ndihmësi i Cooper-it dhe më tha që duhet të ec përpara dhe do të shpërblehem. Pikërisht atëherë fillova ecurinë e mahnitshme në të gjitha ndeshjet e grupeve në Europë ’32′”.
RROGAT E PAMARRA DHE UKRAINA – “Roman Grigorchuk, trajner i Chernomorets. Më pa në ndeshjet me Arisin dhe me Kombëtaren e më bëri një ofertë. Në fillim nuk e pranova, sepse ishte në vendin e fundit të renditjes dhe u tremba, por ata këmbëngulën. Ishte fundi i gushtit dhe ne po luanim në premierën me PAS Janinën jashtë fushe. Kisha thënë tashmë ‘jo”, por skuadra po më bënte presion për ta ndihmuar, sepse paratë që do të merrte Arisi ishin të mira, do të ishin një nxitje e madhe financiare. Nga Chernomorets-i më kërkuan të shkoja menjëherë në Kiev, të bëja analizat mjekësore dhe të nënshkruaja, sepse periudha e transferimit po mbyllej. Isha me Kombëtaren, sepse më 2 shtator po luanim një ndeshje vendimtare kundër Francës. E pyes trajnerin nëse mund të bëja një udhëtim rrufe dhe të kthehesha, por sigurisht ai refuzoi. Dërgova me ’email” kontratën e nënshkruar! Me fjalë të tjera, ata firmosën një lojtar pa kaluar vizitat mjekësore! Kur shkova në dhomën time, shpërtheva në të qara. E dija se ishte një mundësi e shkëlqyer për karrierën time dhe do të merrja një kontratë të mirë, por mendimi për t’u larguar nga klubi që e konsideroja shtëpinë time, më trishtoi. Në të njëjtën ditë më duhej të firmosja ndërprerjen e kontratës me Arisin. Është e panevojshme të them se më kishin borxh pothuajse të gjitha paratë e kontratës së deriatëhershme, por më kërkuan të nënshkruaja një marrëveshje pa marrë asnjë para, edhe pse Aris do të merrte 600,000 dhe letra mbeti ashtu siç e firmosa unë. Nuk ndërmora asnjëherë veprime ligjore, dhe sigurisht humba paratë për të cilat kisha punuar, duke i sjellë përfitime skuadrës që nuk më kishte paguar. Dhe sigurisht, më shqetëson se ekipet e tjera ishin të qarta dhe të sinqerta ndaj nesh. Si për shembull, Skënderbeu, ku shkova pas Ukrainës dhe luajta në Europë, të paguante. Kualifikohuni, na thanë, dhe do të merrni paratë e UEFA-s. Çdo raund që kalonim, merrnim premion”.
PËRBALLJA ME RONALDON – “Për sa i përket Kombëtares, kam bërë 35 paraqitje dhe do të ishin më shumë, nëse nuk do të kisha vuajtur dëmtimin në ligament, pasi nuk u thirra më pas. Dy ndeshjet që luajtëm kundër Portugalisë për kualifikueset e Botërorit dhe ndeshjet e mia me Kristiano Ronaldon kanë hyrë në histori. Rezultati 0-0 që morëm në Braga do të jetë i paharrueshëm për mua. Në atë kohë ai ishte në maksimumin e tij. Në duelin e parë u ndjeva sikur po përplasesha me një shkëmb. Ishte në formë dhe pyesja veten se si do ta përballoja. Thashë ose topin ose atë. Në çdo fazë shkova me 1000. Ndjeva sikur një nga ata ‘kuajt arabë’ po vinte drejt meje dhe ishte më i gjatë se unë. I kisha kërkuar para ndeshjes që të më jepte fanellën e tij, dhe më tha ‘po’, por në fund, kur iu afrova, më tha ‘kurrë për ty’, i irrituar që nuk e lashë të prekte topin. Në takimin e dytë zhvillova një ndeshje të mirë, por humbëm me një gol në minutat e fundit”.
KOMBËTARJA U-21 E SHQIPËRISË – “Nuk më shqetësonte që të gjithë mendonin se isha i pakualifikuar. Më shtyu të punoja më shumë. Më ndihmuan edhe fëmijët e tjerë, sidomos grekët që më nxitën të mos dorëzohesha. Me punë dhe falë mundësisë që më dha Arisi, arrita të garoj në Kombëtaren e Shqipërisë, ndërkohë që ata nuk më telefononin më, pas Shpresave. Në fakt, në një nga ndeshjet ndaj Greqisë, trajneri më hoqi në të 30-ën dhe kjo më shqetësoi shumë, sepse e bëri me qëllim, për të më ekspozuar në vendin ku jetoja dhe luaja futboll. Po atë natë u ngrita, u largova nga hoteli dhe u ktheva në Greqi. Por më doli mirë, pasi dy ditë më vonë luajta 90 minuta në barazimin 0-0 kundër Panathinaikosit”.
Marre nga Panorama Sport