Policia e Kosovës është duke realizuar një operacion policor antidrogë në veri të Mitrovicës. Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga policia. Në veri të Mitrovicës Kosova e ka pasur të vështirë të shtrijë fuqinë e ligjit, por megjithatë, goditja e grupeve kriminale ka qenë fokus i tyre.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në vazhdën e luftës për parandalimin dhe luftimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike, pas hetimeve intensive sot më 12.02.2023, në rajonin e Mitrovicës veri, është duke realizuar një operacion policor antidrogë, me mbështetjen edhe të njësive tjera relevante policore. Policia e Kosovës në fushën e parandalimit, hetimit dhe zbulimit të trafikimit me narkotikë edhe gjatë vitit të kaluar ka ndërmarr disa operacione të suksesshme policore ku janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuara narkotike, janë zbuluar laboratorë droge, janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar, si dhe janë shpartalluar grupe të ndryshme kriminale në mbarë vendin. Lidhur me rezultatet apo detajet e këtij operacioni të antidrogës do të njoftoheni me kohë pas pranimit të raporteve apo informatave nga njësitet në teren”, thuhet në njoftim.

