Kuvendi i Shqipërisë ka përjashtuar për 10 ditë dy deputetët e PD-së Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.
Këtë të premte, u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën dhe ka pranuar kërkesën e deputetëve të Partisë Socialiste për të përjashtuar nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë dy demokratët që u përfshinë në një debat të ashpër një ditë më parë në seancë plenare.
Gazeta “Panorama” mëson përmes burimeve se ndër deputetët që firmosën ndëshkimin e dy deputetëve demokratë ishin ish-ministrja Etilda Gjonaj, deputeti Toni Gogu dhe deputetja Blerina Gjylameti. Sipas dokumentit të dorëzuar në sekretari, deputetët e mazhorancës kërkuan përjashtimin e deputetëve demokrat për 10 ditë nga komisionet parlamentare dhe nga Kuvendi.

