Dërgimi i mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës, ka detyruar Bashkinë e Durrësit të përdorë fondin rezervë për të paguar faturat e Klodian Zotos. Plot 340 milionë lekë, të cilat do të duhej të përdoreshin në rast emergjencash civile, bashkia e Durrësit do t`i kalojë në llogari të Klodian Zotos.
Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar kërkesën e kryebashkiakes Emirjana Sako që të përdoret fondi rezervë për të paguar faturat e depozitimit të mbetjeve në landfillin privat të Klodian Zotos në Sharrë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e datës 27 tetor dhe është zbardhur së fundmi. Sipas dokumenteve të konsultuara nga “Syri Televizion”, rezulton se bashkia e Durrësit do të përdorë plot 340 milionë lekë të vjetra për shlyerjen e faturave të plehrave.
Fondi rezervë preket shumë rrallë nga njësitë e pushtetit vendor dhe përdoret për raste të paparashikuara në ndihmë të qytetarëve, ku përfshihen edhe situatat e vështira atmosferike, sidomos gjatë stinës së dimrit që po afron.
Në vitet e fundit, qyteti i Durrësit ka pasur probleme të theksuara me përmbytjen e rrugëve dhe zonave të tëra, kryesisht për shkak të reshjeve të shiut në akset e ndërtuara pa një studim të mirëfilltë. Për përballimin e këtyre krizave, bashkia ka përdorur më herët fondin rezervë. Por, këtë vit, kryebashkiakja Sako ka vendosur që fondin e situatave emergjente, ta përdorë për të paguar depozitimin e mbetjeve në landfillin nën administrim të shoqërisë guackë “Integrated Energy BV”.
Bashkia i paguan kompanisë koncesionare të Klodian Zotos 29 euro për ton mbeturina të depozituar në Sharrë.
Shoqëria koncesionare ka për detyrë që të landfillojë dhe të incenerojë mbetjet urbane. Por, prej shumë vitesh, “Integrated Energy BV” nuk e kryen djegien e mbeturinave, pasi ende nuk është ndërtuar impianti i incenerimit.
Megjithatë, bashkitë e qarkut të Tiranës dhe Durrësit e paguajnë koncesionarin me faturën e plotë, pavarësisht se kompania private nuk përmbush kushtet e kontratës. / Syri.net

