Ish-komisari Leonard Palushi është marrë i pandehur dhe akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’, parashikuar nga neni 259 Kodit Penal. Në njoftimin zyrtar, SPAK bën me dije se ka mbyllur hetimet për Palushin dhe ka dalë në përfundimin se ai i ka shërbyer Erion Alibejt, i cili ndodhet pas hekurave si urdhërues i një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit. Sipas SPAK, Palushi ka marrë dhuratë një automjet tip “Mercedes Benz” dhe e kamufluar aktishitjen duke vendosur si shitës një të afërmin e tij. Si ‘shpërblim’, Palushi ka dhënë informacionin që të vendosej arma tek servisi i Manahasëve, me kërkesë të Alibejt, në mënyrë që të krijohej konflikt midis dy grupeve. Mjeti Mercedes-Benz, C300, benzinë u shkëmbye me mjetin tip TOYOTA RAV4, automat, ngjyrë Gri e Errët dhe ky i fundit është aktualisht në duart e autoriteteve.
Palushi u vu në pranga pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani. Sipas dëshmisë së Dumanit, Erjon Alibej, i dyshuar si organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, kishte përdorur njohjet me efektivin e policisë për të devijuar hetimet për vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020. Më konkretisht, Dumani tha se Palushi ishte personi që futi armën me të cilën u vra Ramazani në një servis të familjes Manahasa. Vetë Palushi ka mohuar akuzat.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim procedimin penal Nr.75/1, në ngarkim të të pandehurit Leonard Palushi, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Nga hetimet ka rezultuar se, në vitin 2020 i pandehuri Leonard Palushi ka qenë efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan ku ka ushtruar detyrën e Shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i pandehuri Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin E. A. dhe ka marrë tërthorazi prej tij perfitim te parregullt për të kryer në vijimësi veprime që lidhen me detyrën e tij si punonjës policie (në mbështetje të E. A.). Hetimi ka provuar se i pandehuri Leonard Palushi ka marrë në datën 23.06.2020 nga i hetuari E.A. një përfitim të parregullt automjet tip “Mercedes Benz”. I pandehuri Leonard Palushi duke qënë i ndërgjegjshëm që ky veprim ishte në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime kamufluese për të mbuluar faktin e dhurimit dhe pronarin e vertetë të këtij mjeti duke paraqitur si blerës nje shtetas të njohur të tij. Në vijim i pandehuri Leonard Palushi e ka mbështetur të hetuarin E A. me veprime në kuadër të detyrës së tij si punonjës policie në mënyrë të vazhdueshme, duke u takuar me të, takime këto për të cilat eproret e tij deklaruan se nuk ishin në dijeni. Më konkretisht, në datën 27.07.2020 me kërkesë të E. A. i pandehuri Leonard Palushi ka dhënë informacionin mbi vendndodhjen e armës tek servisi i Manahasëve, me qëllim që sipas kërkesës së E.A, të krijohej konflikt midis dy grupeve. Mjeti Mercedes-Benz, C300, benzinë, përbën produkt të veprës penale sipas nenit 36 të Kodit Penal. Ky mjet është tjetërsuar më pas duke u shkëmbyer me mjetin tip TOYOTA RAV4, automat, ngjyrë Gri e Errët. Për mjetin “TOYOTA”, RAV4, automat, ngjyrë Gri e Errët, Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 67 datë 30.01.2023, ka vendosur masen e sekuestros preventive. Për sa më sipër, i hetuari Leonard Palushi u mor i pandehur dhe dërgua për gjykim për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’, parashikuar nga neni 259 Kodit Penal. Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

