Ka dështuar raundi i dytë për zgjedhjen e kryetares së Gjykatës Kushtetuese. Raundi i dytë u mbajt ditën e sotme, kur kandidatet Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj kanë marrë nga 3 vota secila. Dalja me një rezultat të barabartë, ka bërë që përzgjedhja të bëhet në raundin e tretë që është edhe i fundit. Raundi i tretë do të mbahet më 20 shkurt në orën 10:00. Nëse edhe në këtë raund nuk do të ketë një fitues, emrin e kryetares do ta përzgjedhin ‘goglat’.
Përbërja e Gjykatës Kushtetuese që votojnë për kreun e gjykatës Kushtetuese janë: Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Sonila Bejtja, Dr. Sandër Beci, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Prof. Dr. Marjana Semini, Holta Zaçaj.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetari caktohet me short. Procedura e zhvillimit të shortit parashikohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kryetari i zgjedhur njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.

