Ka dështuar për herë të katërt përballja e të mbrojturit të drejtësisë, Luftar Reçi me të pandehurit, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Indrit Rusi dhe Endrit Taulla. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit Ilia Ilia, që mbron në mungesë të pandehurin Plaurent Dervishaj. Seanca e radhës u caktua për në datën 20 shkurt.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës pezullimin e afateve të paraburgimit për Plaurent Dervishajn, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata. Ndërkohë avokatët i kërkuan togave të zeza, që dëshmitari i drejtësisë, Luftar Reçi t’i japë deklarimet e tij përballë të pandehurve, jo i fshehur dhe i rrethuar me efektivë. Grupi akuzohet për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, ngjarje të ndodhura në vitin 2005.
Në dy seancat e mëparshme shkak ishte bërë mungesa e gjyqtares Etleva Deda pasi ndodhet prej ditësh e shtruar në spital. Gjykata e Posaçme caktoi një tjetër gjyqtare, Flora Hajradinaj, por pavarësisht kësaj në seancën e kaluar u konstatua mungesa e Luftar Reçit.
Këta persona janë arrestuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005. Reçi është bërë shkak për arrestimin e anëtarëve të grupit, me dëshmitë e tij, duke treguar emrat e porositësve, organizatorëve dhe ekzekutuesve të Lames e Saliut. Ndërkohë Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj ndodhen në arrati në lidhje me këto dy vrasje. Ky i fundit u shpall në kërkim vetëm pak ditë më parë në kuadër të operacionit “Komploti” edhe si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe “Rrumit të Shijakut” në 2019, ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku.

