Ai erdhi para disa ditësh nga Brazili për t’u provuar te Barcelona, ku i jati i tij ka bërë histori. Ai quhet Joao de Assis Moreira, por njihet si Joao Mendes. I riu është vetëm 17 vjeç, por nga të gjithë ai është vetëm djali i Ronaldinhos.
Joao Mendes që ka luajtur me Cruzeiron në Brazil, ka zbarkuar në Katalonjë me shpresën për t’u bërë pjesë e Barcelonës. Djaloshi mbërriti në San Joan Despí një javë më parë, me një rekomandim të veçantë. Për të kishte ndërhyrë edhe presidenti Joan Laporta, mik i ngushtë me Ronaldinho. Por përshtypja e parë e teknikëve të La Masías nuk ishte shumë pozitive.

Atëherë Laporta kërkoi si favor edhe një prove shtesë. Idea është t’i jepet Joas Mendes pak më shumë kohë për të bindur drejtuesit e Juvenil për cilësitë e tij. Presidenti do të ishte i kënaqur të merrte në krah djalin e lojtarit simbol të mandatit të tij të parë. E për këtë arsye audicioni i Joao Mendes po zgjatet.
Djali ishte bashkuar me Cruzeiro, nën një emër të rremë për të shmangur spekulimet. E mbi të gjitha pritshmëritë e ekzagjeruara, kur ishte 14 vjeç. Ai është mëngjarash, 1.78 i gjatë dhe luan si qendërsulmues. E ëma është Janaínna Natielle Mendes, e vetmja grua me të cilën Ronaldinho pati një fëmijë. Joao ka lindur më 25 shkurt 2005, në kohën e lavdishme të babait të tij te Barcelona. Për një muaj ai mbush 18 vjeç dhe do të donte ta festonte i veshur me blaugrana.

