Rrahman Rraja ka hequr dorë nga mandati i deputetit nën siglën e Partisë Socialiste. Në një deklaratë zyrtare, të shpërndarë nga zyra për shtyp e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Rrahman Rraja ka dorëzuar mandatin e tij duke komentuar edhe ngjarjen e dhunës që ka tronditur opinionin publik. Në deklarimin e tij, Rraja ka kërkuar ndjesë, duke shtuar se ka dështuar si prind në rritjen e djalit të tij, Rexhep Rraja, i cili disa herë është bërë kryefjalë e mediave për ngjarje të rëndë kriminale. I kërkon falje dhe kryeministrit Edi Rama, por në asnjë moment nuk i përmend vëllezërit dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij, gjithashtu të përfshirë në ngjarjen e dhunshme.
“Nuk kam fjale per ta shprehur sikletin karshi te gjithe atyre qe me kane besuar gjithe keto vite. Fatkeqesisht une deshtova si prind dhe ndjehem i turperuar publikisht nga femija im. Ju kerkoj ndjese shokeve dhe kolegeve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorezimin e mandatit te deputetit dhe terheqjen time nga jeta politike. Ju kerkoj ndjese atyre qe me kane dhene voten prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kerkoj ndjese viktimave te asaj dhune turperuese për familjen time. I bej thirrje djalit tim te dorezohet para drejtesise. Zoti me dhente force qe ta perballoj kete dhimbje te madhe dhe jete qe ta shlyej kete turp qe me la mbi shpatulla si gur im bir. Ne fund mirenjohje dhe ndjese edhe kryetarit te partise dhe kryeministrit, i cili nuk me kishte asnje borxh per kete shqetesim kaq te madh publik qe i shkaktova.”
Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikit 2023, ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës për guroret, që i përkisnin familjes së deputetit. Organizatorët janë kujdesur ta filmojnë për t’ia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre. Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar.

