Ish-ministri Arben Ahmetaj i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili e ‘dorëzoi’ kur u pyet në lidhje me përfshirjen e tij në skemën e inceneratorëve. I ftuar në “Opinion”, Ahmetaj tha se i sugjeron Ramës që të mos bëjë rolin e gjykatësit. Ai shtoi gjithashtu se nuk do të donte që të ishte në ‘pozicionin’ e kryeministrit Rama, por pa sqaruar saktësisht se çfarë nënkuptonte me këtë të fundit.
Pjesë nga biseda:
Arben Ahmetaj: Veten e kam të pastruar, fije e për pe. Unë jam punonjës shteti që nga viti 1998. Unë Ed Ramës nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndihmë, por po i jap një sugjerim. Nuk do të doja të isha në pozicionin e kryeministrit, të bëhesha gjykatës.
Blendi Fevziu: A tu kujtua Saimir Tahiri, Lefter Koka e Alqi Bllako kur i tha kryeministri ato gjëra?
Arben Ahmetaj: Mua më kujtohen shumë shpesh këto kolegë, me shumë dhimbje dhe shumë shpesh. Unë me Saimir Tahirin nuk kam shkuar fare, ti e di shumë mirë këtë gjë por të shoh një koleg në atë pozitë s’më ka pëlqyer. Nuk kam nevojë unë për ndihmë nga kryeministri. Ajo që tha kryeministri, bëri rolin e gjykatësit. Ai e ka zakon të drejtë që thotë përgjegjësia është personale, por unë ia jap si sugjerim, të mos bëjë rolin e gjykatësit.
Çfarë tha 1 javë më parë Kryeministri Edi Rama?
Në fjalën e tij në emisionin “Opinion”, Rama tha prerë se nëse këto akuza rezultojnë të vërteta, Ahmetaj duhet të mbajë përgjegjësi personale dhe se ai nuk e ndihmon dot.
Edi Rama: Gjëja që unë kam kërkuar, është që kush shkel aty ku nuk duhet, përgjigjet. Kam thënë një gjë: Këtu jemi një skuadër. Luftojmë të gjithë për qëllimet e shpallura. Kush në ndërkohë gabon rrugë ose i merr koka erë dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë edhe qëllime të tjera, do t’i dalë për Zot vetë pastaj. E kam thënë publikisht qysh në kohën kur filloi çështja e Saimir Tahirit që PS nuk është studio avokatie. Kush hyn në këto rrugë merr avokatë, shkon atje dhe përballet. Sa i përket çështjes së Arben Ahmetajt, ai ka qenë bashkëpunëtori im, kam punuar me të për një periudhë kohe të gjatë dhe këto gjëra që dalin, në qofshin të vërteta, gjë që do ta thotë prokuroria, më vjen shumë keq.
Blendi Fevziu: Të vjen keq?
Edi Rama: Më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot. Në qofshin të vërteta.

