Pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga qeveria shqiptare përfaqësues të diplomacisë iraniane kanë lënë ambientet e ambasadës për t’u larguar nga Shqipëria. Vetëm pak minuta më vonë godina është marrë në kontroll nga policia shqiptare.
24 orë pas ultimatumit, ambientet e ambasadës u pushtuan nga forcat RENEA, Njësia Anti-Eksploziv dhe Anti-Terrori, të cilët kryen kontrolle në të gjithë godinën e marrë me qira nga njësia diplomatike iraniane në Shqipëri.
Në ambientet e brendshme të saj u gjetën vetëm disa punonjës shqiptarë, ndërsa përfaqësuesit e iranianë u larguan në mëngjes, përpara skadimit të afatit të vendosur nga qeveria.

Një pjesë e diplomatëve u larguan nga aeroporti i Rinasit ndërsa pjesa tjetër në rrugë tokësore nga Maqedonia.
Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve me ambasadën iraniane në Shqipëri u dha paraditen e së mërkurës nga kryeministri, Edi Rama, i cili tha se ishte provuar që Irani qëndronte pas sulmeve kibernetike të 15 Korrikut ndaj sistemit të shërbimeve online.